Teksa në Kuvend po diskutohet projektligji për koncesionet, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri tha se shumica prej tyre janë afera korruptive dhe janë nën hetim nga SPAK, dhe për rrjedhojë kanë sjellë fletë-arreste apo procese gjyqësore.
Teksa përmendi me shembuj konkret disa prej koncesioneve të dhënë nga qeveria, Kapri tha se asnjë prej tyre nuk ka qenë frytdhënës apo që të ketë përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë.
“Shumica e koncesioneve janë në SPAK nën hetim, që kanë prodhuar fletë-arreste dhe janë vërtetuar qindra e qindra miliona euro të shkuara dëm.
Me kë koncension ta nisësh më parë? Cili koncesion i dhënë nga qeveria ka qenë frytdhënës? Që i shërbeu qëllimit të vet dhe përmirësoi jetën e njerëzve, nuk gjen asnjë. Tek koncensionet e shëndetësisë, të 4-ta në SPAK. A kemi shërbim më të mirë? Zero. Edhe pasi janë zbuluar që janë afera korruptive ato kanë vazhduar.
Më interesanti mund të quhet koncesioni i Portit të Vlorës që nga qeveria u trumpetua që vitin e ardhshëm do nisë punë. Por vetë qeveria e di që nuk do nisë punë ky koncesion sepse e kanë parë sherrin e aksionerëve dhe se si është dhënë në zyrën e ministres dhe e dinë që është koncesion korruptiv. Si ka mundësi që nuk ka asnjë reagim edhe pas daljes së investigimit që koncesioni është fituar nga nja magazinier? Zero reagim.
Si mund të marrë një magazinier operimin e një porti me vlerë 60 mln euro, dhe për më tepër nuk ka asnjë reagim.
Çfarë u bë dhe për çfarë shërben koncesioni Thumanë-Kashar, do jenë mbi 1,3 miliardë euro fitim neto në fund për të, janë dy mijë e ca lekë për kalim në atë rrugë as 20 km. Pa llogaritur koncesionet e tjera“- tha Kapri nga Foltorja e Kuvendit.
Kapri komentoi edhe paqen fiskale, duke thënë se është e dyshimtë, duke nënvizuar se edhe SHBA-të janë kundër saj.
“Po për paqen fiskale, çfarë po ndodh. Pse bëhen ligje shpejt e shpejt për të pastruar paratë e krimit? Kujt i shërben kjo shpejtësi, refuzohen emrat e atyre që do përfitojnë, kur në raste të tjera thuhen. Dhoma Amerikane është kundër, ambasada amerikane është kundër paqes fiskale. Pse e bëni ju këtë, kush përfiton nga kjo? Pse nuk bëhen transparente nga ministri firmat private që përfitojnë”- shtoi ai.