Klodian Braho është zgjedhur kreu i ri i SPAK. Ai mori 7 votat e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kundrejt 3 që mori Adnon Xholi dhe 1 Elvin Gokaj.
Braho do të qëndrojë në krye të Prokurorisë së Posaçme për një mandat 3 vjeçar, duke zëvendësuar në këtë detyrë Altin Dumanin.
Këtë të enjte, 4 kandidatët Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho prezantuan platformën e tyre përpara anëtarëve të KLP-së.
Mbledhja, e cila nisi që prej orës 9 të mëngjesit ishte e hapur për mediat dhe të pranishëm ishin edhe ndërkombëtarët, e dërguara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, ambasadori i delegacionit të BE, Silvio Gonzato si edhe ambasadori britanik Nicholas Abbott.
Një ditë më parë, ambasada amerikane, ajo britanike dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato kërkuan nga KLP që procesi të jetë transparent, ndërsa vlerësuan punën e bërë nga Altin Dumani në krye të Prokurorisë së Posaçme.
Disa prej dosjeve të “nxehta” të hetuar nga Braho janë: Inceneratori i Elbasanit, “5D” apo edhe “Toyota Auris” ku janë të përfshirë edhe shumë njerëz të drejtësisë.
Votimi i 11 anëtarëve të KLP-së:
Sokol Stojani – Xholi
Moisi Duda – Braho
Olger Eminaj – Braho
Erind Mërkuri – Xholi
Mirela Bogdani – Braho
Vatë Staka – Xholi
Ledina Riza – Braho
Erind Gërmenji – Braho
Zeqir Hoda – Braho
Arta Mandro – Braho
Erion Fejzulla – Gokaj
PROFIL
Klodian Braho u lind në Skrapar më 21 korrik 1982. Në vitet 2000-2004 kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe në 2005-2008 studioi në Shkollën e Magjistraturës. Ai mori emërimin më 14 nëntor 2007.
Detyrat që ai ka patur ndër vite janë:
14.11.2007-2012/ Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.
2012-2015/ Prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2014-2015/ Zv.drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2015-19.12.2019/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
Nga 19 dhjetori 2019 dhe aktualisht është prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).