Italia gati të rihapë qendrën e Gjadrit në Shqipëri, priten qindra transferta emigrantësh që në pranverë

Italia po përgatitet të rinisë që në pranverë dërgimin e emigrantëve në qendrën e Gjadrit në Shqipëri, nëse tri rregulloret e reja të miratuara nga Këshilli i BE-së do të kalojnë pa pengesa fazën e trilogut më 17 dhjetor. Menjëherë pas kësaj, pritet miratimi edhe nga Parlamenti Europian, përpara hyrjes në fuqi të Paktit të ri të Azilit dhe Migracionit më 12 qershor.

Sipas planit të Ministrisë së Brendshme italiane, qendra e Gjadrit do të presë kërkues azili nga të ashtuquajturat “vende të sigurta”, të cilët do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare. Ndryshe nga skema fillestare, migrantët nuk do të transportohen më drejtpërdrejt nga deti në anijet e Marinës, por do të dërgohen në Shqipëri nga hotspot-et italiane menjëherë pas mbërritjes së tyre, pavarësisht nëse kanë ardhur me mjete të shtetit italian, me skafe apo janë shpëtuar nga OJQ-të.

Rregullat e reja të BE-së i japin Italisë mundësinë ta përdorë qendrën në Shqipëri si një qendër të posaçme të sigurt, duke mbajtur aty migrantët nga vende të sigurta deri në përfundimin e procedurave të tyre. Autoritetet italiane parashikojnë se këtë herë numri i transfertave do të rritet ndjeshëm, pasi lista e re evropiane e vendeve të origjinës së sigurta do të lejojë dërgimin në Shqipëri edhe të shtetasve nga Bangladeshi dhe Egjipti, të cilët përbënin mbi 28 mijë mbërritje gjatë 2025-s. Po kështu, pritet të shtohen edhe tunizianët e marokenët, të cilët mund të riatdhesohen shpejt përmes procedurave të përshpejtuara.

Qendra e Gjadrit, me kapacitet rreth 1.100 persona, sipas Ministrisë së Brendshme italiane mund të mbushet shpejt, duke pasur parasysh se riatdhesimet parashikohen të kryhen brenda 30 ditësh. Ndryshe nga më parë, migrantët nuk do të kenë më mundësi të bllokojnë transferimin përmes apelimeve automatike, pasi rregullorja e re e BE-së e heq pezullimin automatik të dëbimit. Vetëm një vendim specifik i gjykatës mund ta ndalojë riatdhesimin.

Ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, deklaroi nga Brukseli se rregulloret e reja “sjellin qartësi juridike dhe operative” dhe se vendimet gjyqësore nuk do të krijojnë më pasiguri për zbatimin e skemës.

Qeveria italiane beson se kuadri i ri ligjor europian do të zgjidhë të gjitha rezervat e deritanishme të gjykatave, të cilat kishin bllokuar qëndrimet në qendrën e Gjadrit. Si pasojë, modeli i bashkëpunimit me Shqipërinë, që Konferenca Ipeshkvore Italiane e ka cilësuar “në kufijtë e demokracisë”, ka mbetur praktikisht bosh deri më sot.