Zelensky i përgjigjet akuzave të Trump: Ukraina gati për zgjedhje nëse garantohet siguria e qytetarëve

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se vendi është i gatshëm të mbajë zgjedhje presidenciale, nëse SHBA-ja dhe aleatët evropianë sigurojnë garanci të mjaftueshme sigurie. Reagimi i tij erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump përsëriti pretendimet se Ukraina po “përdor luftën” për të shmangur zgjedhjet.

Mandati pesëvjeçar i Zelenskyt përfundoi në maj 2024, por zgjedhjet u pezulluan pas shpalljes së ligjit ushtarak në fillim të agresionit rus. Zelensky tha se është i gatshëm të kërkojë ndryshime ligjore që do ta bënin të mundur zhvillimin e votimeve brenda 60 deri në 90 ditëve, nëse partnerët ndërkombëtarë garantojnë sigurinë e procesit.

Ai theksoi se çështja e zgjedhjeve varet para së gjithash nga vetë populli ukrainas dhe mohoi pretendimet se po përpiqet të qëndrojë në pushtet apo se kjo është arsyeja pse lufta po zgjatet.

Nga ana tjetër, Rusia ka këmbëngulur se Zelensky është “jo legjitim” dhe ka kërkuar zgjedhje të reja si kusht për çdo marrëveshje armëpushimi, një narrativë e cila është ripërsëritur edhe nga Trump, i cili ka sugjeruar se Zelensky po pengon përpjekjet për paqe.

Debati për mbajtjen e zgjedhjeve në kohë lufte ka qenë prezent që prej vitit 2022, por shumica e forcave politike dhe e opinionit publik në Ukrainë e kanë konsideruar të pamundur dhe të rrezikshme. Një sondazh i Institutit KIIS në mars tregoi se rreth 78% e qytetarëve i kundërshtojnë zgjedhjet derisa të përfundojë plotësisht konflikti.

Ekspertët theksojnë se sfidat kryesore mbeten sigurimi i të drejtës së votës për rreth një milion ushtarë në front, katër milionë refugjatë jashtë vendit dhe mbajtja e qendrave të votimit të sigurta në zona ku vazhdojnë sulmet. “Nuk mund të garantohet siguria e qendrave të votimit në kushtet aktuale”, paralajmëroi një analiste e politikës së jashtme.