Shtyhet seanca paraprake në GJKKO për kalimin ose jo për gjykim të dosjes ndaj Ilir Metës, ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë. Seanca e radhës do të mbahet më 22 dhjetor.
Në seancën e kësaj të premteje, Meta kërkoi që të njihet me aktet e dosjes ndaj tij.
“Dua të njihem me fashikullin e hetimit. Jeni të lutur të më vendosni të dispozicion materialet. Po më shkelen të drejtat kushtetuese, duke mos më dhënë aktet, duke mos më vendosur asnjë provë që unë të bëj prapësimet. Po mbahem në paraburgim pa të drejtë sepse nuk kam asnjë mundësi reale të prish provat, të i intimidoj dëshmitarët, skam publik dhe asnjë mundësi reale të prish provat”, u shpreh Ilir Meta gjatë seancës së sotme.
Ndërkohë gjykata urdhëroi SPAK t’i dërgojë brenda javës fashikujt e dosjes, ish-presidentit, i cili ndodhet në burg që prej tetorit të 2024-ës.
Më herët kreu i PL kërkoi që të mos qëndronte në kafazin në sallën e gjyqit, duke e konsideruar si shkelje të të drejtave kushtetuese dhe të të drejtave të njeriut. Në kërkesën depozituar GJKKO-së, thuhej se nëse nuk do të merrej parasysh kjo kërkesë, nuk do të merrnin pjesë në seanca.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë marrë të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehjen e pasurisë.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi në “detyrim paraqitje”.