3 mijë paund “bileta e kthimit”, Anglia kërkon largimin vullnetar të emigrantëve drejt Shqipërisë

Qeveria britanike po shqyrton ofrimin e më shumë se 3 mijë paundëve për qindra familje shqiptare, me qëllim nxitjen e largimit të tyre vullnetar nga Mbretëria e Bashkuar, në kuadër të masave të reja për ashpërsimin e politikave të emigracionit.

Sipas njoftimit zyrtar, nga kjo mbështetje përfitojnë ata me kërkesa azili të refuzuara apo viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, të konfirmuara nga Home Office si dhe familjet (që besohet se janë 700) të cilave nuk u lejohet qëndrimi për gjatë në Britaninë e Madhe.

Ministria e Brendshme do të shpenzojë rreth 20 milionë £ për të zgjeruar skemën e riintegrimit në pesë shtete, nga të cilat kanë ardhur 5,000 kërkues azili të refuzuar në pesë vitet e fundit dhe 500 persona me precedentë penalë nga burgjet në Angli dhe Uells.

Kjo shumë mbulon deri në 10 netë akomodim pas mbërritjes, para për shpenzime të menjëhershme jetese, ndihmë për sigurimin e trajnimeve dhe arsimit, si dhe mbështetje për hapjen e një biznesi në vendin e origjinës.

Përfituesve u ofrohet edhe transport deri në qytetin ku duan të kthehen, ndihmë për t’u futur në tregun e punës, shërbime për kërkimin dhe ribashkimin me familjen, si dhe këshillim për shëndetin mendor, nëse nevojitet.

Ky veprim është pjesë e përpjekjeve të qeverisë së Partisë së Punës për të përshpejtuar kthimin e migrantëve të paligjshëm, me qëllim uljen e kostos prej 5.4 miliardë £ për mbështetjen e kërkuesve të azilit dhe të huajve me dënime penale.

Siç shkruan The Telegraph, pesë vendet e identifikuara për programin e zgjeruar të riintegrimit janë: Algjeria, Republika Demokratike e Kongos, Maroku, Somalia dhe Sri Lanka.

Të tjera vende ku të huajt që nuk marrin azil dhe të dënuarit e huaj tashmë kanë të drejtë për këtë mbështetje përfshijnë: Shqipërinë, Etiopinë, Bangladeshin, Ghanan, Indinë, Irakun, Xhamajkën, Nigerinë, Pakistanin, Vietnamin dhe Zimbabwen.

Që nga viti 2021, më shumë se 400 mijë persona kanë kërkuar azil, krahasuar me 150 mijë kërkesa midis 2011-ës dhe 2015-ës. Por vetëm 100 mijë persona që nuk kanë marrë azil në Angli janë deportuar që nga viti 2021, që do të thotë se vetëm një në katër deportohet.