Kreu i Partisë Demokratike, ka folur sërish në foltoren e radhës me demokratët, ku u shpreh se PD do të mbetet një parti e hapur.
Edhe pse nuk foli hapur për takimet që po zhvillojnë Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti, në fjalën e tij Berisha la të kuptohet se takimet e tyre jashtë forumeve konsiderohen private dhe jo të forcës politike.
Sipas tij, çdo demokrat mund të flasë dhe të votojë lirshëm, por kjo duhet të ndodhë vetëm brenda forumeve.
“PD mund ta forcojmë, mund ta ripërtërijmë, mund ta konsolidojmë, vetëm kur çdonjëri ta ketë çështje këtë problem. Janë propozimet tuaja, kritikat tuaja, sugjerimet tuaja, tërheqja e vlerave nga secili prej jush këtë parti, ato që do e ngrenë këtë në lartësinë e përmbushjes së një misioni historik, e vetmja forcë politike në Europë që përmbysi dy diktatura, dhe kjo do jetë PD. Ne jemi dhe do mbetemi parti e hapur, absolutisht parti e fjalës së lirë dhe mendimit të lirë. Në këtë parti, çdokush do të ketë të drejtë të votojë kundër. Por, si çdo parti tjetër, është një parti me rregulla që vendosen bashkarisht dhe nuk mundesh kurrë të imponohesh në atë mënyrë. E kam fjalën këtu secili nga demokratët çfarëdo lloj gjëje që duhet të ketë, duhet ta thotë pa asnjë ndrojtje, por brenda forumeve.
Secili demokrat do të ketë të drejtë të votojë këdo, i lirë, por secili demokrat e ka detyrim që tani të mendojë se atë proces që zbatuam së bashku ta përsosim, si t’i bëjmë ato lista. Listat janë tuajat, nuk janë të Tiranës. Nuk mund të bëjë Tirana lista. Si t’i bëjmë këto lista më të besueshme ndaj secilit prej nesh? Si të afrojmë ne, çdonjëri prej nesh, një vajzë, një djalë, një burrë, një grua me vlera, që e njeh, e të thotë Hajde. Ne po shkojmë drejt shuarjes si komb, po nuk morëm masa urgjente”, tha Berisha.