Drejtoria e Tatimeve ka vendosur një pagë dysheme prej 80 mijë lekësh të reja për sektorin e ndërtimit. Çdo firmë që do të deklarojë më pak, do të konsiderohet e dyshuar për nëndeklarim dhe do t’i nënshtrohet kontrolleve.
Tatimet bëjnë thirrje për çdo biznes që të deklarojnë saktë pagat e punonjësve të tyre, pasi në të kundërt do të ketë masa administrative.
“Në kuadër të zbatimit të planit sektorial të ndërtimit dhe rritjes së pagesave për sigurimet shoqërore në funksion të rritjes së pensioneve, Administrata Tatimore informon të gjithë tatimpaguesit e këtij sektori se do të analizohen pagat e punonjësve të deklaruar në listëpagesat e këtij sektori. Për vlerësimin e riskut të tatimpaguesve që shmangin pagesën reale të pagave të punonjësve, analiza do të ketë si element krahasues pagat indikative të profesioneve në sektorin e ndërtimit sipas tabelës bashkëlidhur këtij njoftimi.
Kujdes. Çdo tatimpagues që pagën e punonjësit të tij të deklaruar, për profesionet e sipërpërmendura ose të ngjashme me to, do ta ketë nën nivelin e pagës indikative, dhe që ndryshon profesionin me qëllim kategorizimin në pagën më të vogël do të konsiderohet me risk dhe do të jetë objekt kontrolli nga strukturat e specializuara të Administratës Tatimore”, njofton Administrata Tatimore.
Në sektorin e ndërtimit, pagat më të ulëta do të fillojnë nga 80 mijë lekë për punëtorët e llaçit, riparuesit apo punëtorët e aluminit, ndërsa për administratorët apo menaxherët jo më pak se 140 mijë lekë të reja.
