Që prej datës 13 tetor të këtij viti, Policia e Shtetit nisi aksionin për sekuestrimin e monopatinave të qytetarëve, pas një urdhri të Ministres së Brendshme, Albana Kociu.
Ky vendim i ministres gjeti të papërgatitur përdoruesit e këtyre mjeteve elektrike, pasi nuk ishin paralajmëruar në lidhje me këtë aksion.
Madje shprehën edhe revoltën e tyre, pasi iu morën mjetin më të cilin shkonin në punë, shkollë, si një alternativë për të shmangur transportin urban, qe për hir të së vërtetës, në Tiranë lë shumë për të dëshiruar.
Sipas ministres Koçiu, pezullimi i lëvizjes me monopatina elektrike erdhi si një masë e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve, deri në krijimin e një kuadri të qartë ligjor që rregullon përdorimin e tyre.
“Do të hartojmë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë. Do të përcaktojmë korsitë, rrugët dhe hapësirat ku mund të përdoren monopatinat, si dhe kriteret për moshën, masat mbrojtëse dhe shpejtësinë e lejuar,” deklaroi ministrja në 12 tetor 2025.
Por teksa kanë kaluar më shumë se një muaj e një gjysmë, qeveria jonë nuk ka ende një ligj për përdorimin e monopatinave, që kanë gjetur përdorim masiv në vitet e fundit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës.
Këto të fundit, ndryshe nga Shqipëria, kanë vendosur rregulla për përdoruesit.
Mund të përmendim këtu shtete si Greqia, Italia, Franca që kanë miratuar ligje specifike që rregullojnë qarkullimin e tyre. kurse në Shqipëri, qeveria jonë mori vendimin për t’i hequr nga qarkullimi fare dhe duke sekuestruar këto mjete, pa një ligj dhe pa asnjë paralajmërim.
Për rrjedhojë qytetarët, të cilëve policia nuk ua ka sekuestruar ende monopatinat, nuk po lëvizin më me këto mjete, teksa janë në pritje të rregullave nga Ministria. Ndërkohë ata të cilëve, policia u ka sekuestruar skuterat janë ende në pritje të ligjit të qeverisë dhe rikthimit të mjeteve të tyre, pasi Policia njoftoi se mjetet e sekuestruara do të mbahen 30 ditë deri sa të rregullohet me ligj ndalimi dhe përdorimi i tyre. Por teksa afati 30 ditor ka përfunduar dhe është tejkaluar, edhe sa do të duhet të presin?