Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka dhënë vendimin për dy mjekët Petrit Rexhepi dhe Elona Burba, të akuzuar lidhur me rastin e vdekjes së Doriana Hakës, bashkëshortes së ish-portierit të Partizanit Alban Hoxha, ngjarje e ndodhur 11 vite më parë, dy javë pasi e reja kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të parë.
Elona Burba, reanimatore, u dënua me 1 vit burg që iu konvertua në 2 vite shërbim prove si edhe pezullim licence për një periudhë 2-vjeçare. Petrit Rexhepi, gjinekolog, u dënuar me 6 muaj burg që iu konvertua në 12 muaj shërbim prove.
Edhe pse dy mjekët u shpallën fajtorë për vdekjen e Doriana Hakës, ata nuk do të bëjnë asnjë ditë burg.
Familja Haka nisi një përballje ligjore me drejtuesit e maternitetit “Koço Glozheni” që në vitin 2014 pasi humbën të bijën.
Familjarët e Dorianës kanë kërkuar prej vitesh drejtësi për ngjarjen e rëndë duke akuzuar mjekët për neglizhencë, që çoi në vdekjen e vajzës së tyre.