Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, akuzoi kryetarin e Kuvendit për një standard të dyfishtë të vendosur nga ai, që përjashton vetëm deputetët e opozitës.
Kapri tha se Agron Shehaj që u përjashtua më herët, nuk kërkoi asgjë tjetër veçse respektimin e standardeve perëndimore. Për Kaprin, standardi i vetëm perëndimor është që, kur ke një akuzë nga Prokuroria, duket të shkosh të përballesh me drejtësinë si qytetar i lirë.
Ai kërkoi që Belinda Balluku të mos shkojë më në Parlament, por të japë dorëheqjen e të shkojë të përballet në SPAK, pasi drejt Europës nuk shkohet me numrin 2 të qeverisë të marrë të pandehur nga Prokuroria.
“Më vjen shumë keq për standardin e dyfishtë të krijuar nga Kuvendi i Shqipërisë, që e keni bërë modë që përjashtoni vetëm deputetët e opozitës. Pak më parë kryeministri përdori fjalor të papërshtatshëm dhe nuk morët asnjë masë.
Nuk kishte asnjë gjë jo-parlamentare çfarë bëri kolegu Shehaj, shikoni çfarë bëhet në Parlamentet në Perëndim për ta krahasuar me Parlamentin tonë. Po kërkonte respektimin e standardit perëndimor. Standardi i vetëm perëndimor është që: kur ke një akuzë nga Prokuroria, duket të shkosh të përballesh me drejtësinë si qytetar i lirë.
Është skandal që numri 2 i qeverisë që ka akuzë, vjen e flet në Parlament, ndërkohë që ka detyrimin të japë dorëheqjen e të përballet në SPAK. Zv.kryeministrja të mos vijë më në Parlament, por të japë dorëheqjen e të përballet me drejtësinë. Nuk shkohet drejt Europës me numrin 2 të qeverisë të akuzuar për korrupsion e nuk lëviz nga pushteti”, tha Kapri.