Vrasja e Martin Canit, Prokuroria kërkon 25 vite burg për autorin

Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën për 14 vjeçarin Mario Përlleshaj që akuzohet për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Martin Cani, ngjarje kjo e ndodhur 1 vit më parë në afërsi të shkollës “Fan Noli” në kryeqytet.

Organi i akuzës kërkon 25 vite burg për të miturin, lidhur me vrasjen që tronditi shoqërinë shqiptare.

Megjithatë prokurorja Alma Felaj tha se e lë në vlerësimin e gjykatës dënimin përfundimtar duke i kujtuar kodin penal për të mitur, përkatësisht nenin 97.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ku humbi jetën Martin Cani u regjistrua më 18 nëntor 2024, pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

Dy 14 vjeçarët ishin konfliktuar në rrjete sociale dhe më pas fizikisht, ku Përlleshaj qëlloi me thikë Canin duke i shkaktuar plagë që do t’i merrnin jetën.

Disa ditë pas ngjarjes së rëndë, qytetarë, familjarë por edhe organizata të shoqërisë civile zhvilluan disa protesta duke kërkuar dorëheqjen e Ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu. Po ashtu kërkuan më shumë siguri në shkolla.