Sheikh Hasina, ish-kryeministrja e përmbysur e Bangladeshit, është dënuar me vdekje pasi u shpall fajtore për krime kundër njerëzimit, lidhur me shtypjen e dhunshme të protestave studentore vitin e kaluar, që çuan në rrëzimin e qeverisë së saj.
Vendimi u dha të hënën nga një trupë prej tre gjyqtarësh e Gjykatës së Krimeve Ndërkombëtare, gjykata vendase e Bangladeshit për krimet e luftës. Sipas gjyqtarëve, Hasina mbante përgjegjësi për nxitjen e qindra ekzekutimeve jashtëgjyqësore të kryera nga forcat e rendit.
“Sheikh Hasina kreu krime kundër njerëzimit përmes nxitjes, urdhrit dhe dështimit për të marrë masa ndëshkuese,” deklaroi njëri prej gjyqtarëve gjatë shpalljes së vendimit. Sipas trupës gjykuese, ishte krejtësisht e qartë se ajo kishte nxitur aktivistët e partisë së saj dhe madje kishte urdhëruar vrasjen dhe eliminimin e studentëve protestues.
Ajo që nisi si një lëvizje studentore kundër kuotave të punësimit në administratë u shndërrua në një valë protestash kombëtare që kërkonin dorëheqjen e Hasinës. Pika kulmore ishte goditja e dhunshme e qeverisë, që sipas OKB-së, mund të ketë shkaktuar deri në 1.400 viktima, ndërsa 25.000 persona të tjerë u plagosën.
Hasina u përball me pesë akuza kryesisht për nxitje të vrasjes së protestuesve, urdhër për varje, si dhe përdorimin e armëve vdekjeprurëse, dronëve dhe helikopterëve.
Ish-liderja ka udhëhequr Bangladeshin nga viti 2009 deri në rrëzimin e saj në vitin 2024. Vendimi i së hënës pritet të tensionojë më tej klimën politike, teksa vendi përgatitet për zgjedhjet kombëtare të shkurtit të vitit të ardhshëm.
Që nga gushti i vitit të kaluar, Hasina ka qëndruar në mërgim në Nju Delhi, pasi protestat studentore detyruan të largohej nga pushteti bashkë me partinë e saj Awami League. Ajo nuk ishte e pranishme në gjyq, ndërsa avokatët e saj e kanë kritikuar procesin, duke pretenduar shkelje të rënda të standardeve të gjykimit të drejtë. Javën e kaluar ata i janë drejtuar edhe Kombeve të Bashkuara me një apel zyrtar.
Qeveria e përkohshme e Bangladeshit ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e saj, ndërsa autoritetet indiane nuk kanë komentuar.
Para shpalljes së vendimit, Dhaka u përfshi nga incidente të dhunshme. Autoritetet rritën ndjeshëm masat e sigurisë, duke vendosur automjete të blinduara, forca speciale dhe policë të armatosur rreth gjykatës dhe institucioneve kyçe shtetërore.
Ndërkohë, djali i Hasinës paralajmëroi për Reuters se mbështetësit e partisë do të bojkotonin zgjedhjet e ardhshme nëse ndalimi i Awami League nuk hiqet, duke shtuar se protestat mund të kthehen në të dhunshme.
Sheikh Hasina, vajza më e madhe e themeluesit të shtetit, Sheikh Mujibur Rahman, ka një histori politike të lidhur ngushtë me fatin e vendit të saj. Pas vrasjes së familjes në grushtin e shtetit të vitit 1975, ajo jetoi në mërgim deri në rikthimin në vitin 1981 për të marrë drejtimin e Awami League. Kryeministre për herë të parë në 1996 dhe më pas nga 2009 deri në 2024, ajo njihet si figura që solli rritje ekonomike, por gjithashtu u akuzua për autoritarizëm, korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Organizatat e të drejtave e kanë kritikuar qeverinë e saj për përdorimin e ligjit të sigurisë kibernetike për të shtypur lirinë e shprehjes dhe arrestimin e gazetarëve, aktivistëve dhe artistëve.
Mbështetësit e Hasinës e quajnë procesin gjyqësor “politik” dhe synim për ta larguar përgjithmonë nga skena politike. Partia Awami League është ende e ndaluar nga aktivitetet politike, ndërsa proceset ndaj saj dhe bashkëpunëtorëve vazhdojnë.
Nga ana tjetër, qeveria e përkohshme, e udhëhequr nga fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Muhammad Yunus, thotë se gjyqet janë “të domosdoshme për rikthimin e llogaridhënies dhe besimit publik në institucionet demokratike”.