Seanca në Kushtetuese, Veliaj: Po sikur t’ia bëjnë këtë Ogertës apo të tjerëve?

Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, vijoi mbrojtjen e tij në Gjykatën Kushtetuese duke e konsideruar procesin e shkarkimit si një akt të padrejtë.

Veliaj tha se nuk ka marrë asnjë ftesë për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku do të shqyrtohej shkarkimi i tij si kryebashkiak.

Më tej, Veliaj u shpreh se nuk kishte parë kurrë një eficencë të tillë si në rastin e tij, ku gjatë procesit të shkarkimit u morën tetë vendime brenda tetë orëve nga Këshilli Bashkiak, Kryeministri dhe Presidenti.

Unë e kam parë nga televizori i burgut shkarkimin tim. Nuk jam njoftuar. Unë nuk kam parë një eficencë me tetë vendime administrative brenda 8 orëve të punës, në datë 24, që fillon me vendimin e këshillit bashkiak dhe mbaron me dekretin e Presidentit. Në tetë orë, tetë vendime. Ishte thellësisht mbresëlënëse shpejtësia që u mor vendimi.

Kjo është e drejta ime për të qenë këtu. Faleminderit që më dhatë këtë të drejtë. Kam pritur 9 muaj për këtë të drejtë. Me kanë izoluar në një qeli me vrasës serialë. Kam përjetuar një periudhë të gjatë me shkelje të të drejtave. Ky është një përçmim ndaj votës. Ky është një përçmimi që populli i jep republikës për ta drejtuar në emër të tij. Jam këtu si kryetar i bashkisë së Tiranës me të drejtën që ma kanë dhënë 165 mijë qytetarë.

Nuk kam kryer asnjë shkelje. Jam këtu për të kërkuar mbrojtjen e demokracisë që sot po vihet në sprovë. Jemi betuar që ta mbrojmë demokracinë. Ky nuk është mandati im, por një kontratë besëlidhje dhe do bëj gjithçka që ma lejon ligji për ta mbrojtur këtë kontratë. Askush nuk mund ta ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri. Me respekt, pyes çfarë shkelje të rëndë kam kryer unë?” tha ai.

Veliaj tha se beteja që ai po bën është për të gjithë pasardhësit e tij dhe shtoi se nëse nesër do ia bënin njësoj si Ogerta Manastirliut, Florjan Binajt apo Arlind Qorrit, të cilët janë kandidatë për Bashkinë Tiranë, kjo do të kthehej në një standard me kryetarët e bashkive.

“Po sikur nesër t’ja bëjnë Ogertës, Florit, apo Arlindit, një masë sigurie. Pra kaosi që kemi tani nuk është asgjë me kaosin nëse kjo do kthehet një standard me kryetarët e bashkive. Kështu që kjo është një betejë edhe për ata që do vijnë pas meje kurdo qoftë ajo ditë”, tha Veliaj.