Të shtëna me armë zjarri pranë mbikalimit të Rinasit, një i plagosur! Largohet autori

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar sot pranë mbikalimit të Rinasit. Sipas të dhënave paraprake si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur një person. Ky i fundit ka marrë plagë në këmbë dhe është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Ndërkohë një tjetër ka mbetur i dëmtuar me sende të forta. Të dy njofton policia, janë jashtë rrezikut për jetën.

Dyshohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konfliktit të çastit që ka degjeneruar deri në përdorimin e armës.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave, ndërsa janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit.

Vorë/Informacion paraprak

Rreth orës 13:50, tek mbikalimi i Domjes, gjatë një konflikti për motive të dobëta dyshohet se është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi F. A., rreth 25 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën si dhe është dëmtuar dyshohet me sende të forta shtetasi G. L., rreth 22 vjeç, i cili po merr mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje/dalje të kryeqytetit dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ve.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.