Dumani: Kemi presione nga politika, media dhe krimi i organizuar

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, gjatë raportimit vjetor të punës së institucionit që ai drejton u ndal te problematika e presionit të jashtëm.

Dumani tha sot në Komisionin e Ligjeve se gjatë punës së tyre në 2024-ën, SPAK është përballur me presione mediatike, politike, por edhe nga krimi i organizuar.

“Doja të veçoja presionin e jashtëm nga aktorë politikë, mediatikë, dhe krimi i organizuar që rrezikon integritetin institucional dhe të prokurorëve, duke kërkuar një reagim të koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese”, theksoi Dumani.

Më tej ai deklaroi sot se janë 16 grupe kriminale shqiptare që veprojnë në disa vende të botës, ndërsa 10 prej tyre janë goditur.

“Gjatë vitit 2024, janë identifikuar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë, 10 prej të cilave janë provuar në gjykatë për karakterin e tyre kriminal.
Ato karakterizohen nga një strukturë hierarkike, përdorimi i komunikimeve të koduara dhe pastrimi i parave nëpërmjet formave të sofistikuara, duke përfshirë kriptovalutat.”
, tha Dumani.

Kreu i SPAK evidentoi po ashtu se krimi i organizuar dhe pastrimi i parave mbetet në nivele të larta.

“Krimi i organizuar, pastrimi i parave mbetet në nivele të larta. Trafiku i narkotikëve luan një nivel të lartë rreziku. Mashtrimi kompjuterik është në rritje. Korrupsioni, tregon një tendencë në rritje të luftës kundër korrupsionit. Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Veprat e korrupsionit, pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror, paraqet ulje relative por mbetet rrezik i lartë”-u shpreh Dumani.

Ndërkohë shqetësim serioz mbetet numri i ulët i referimeve nga institucionet publike për çështje që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.