Ditën e djeshme, e diel 12 Tetor 2025, Ministrja e Brendshme Albana Koçiu njoftoi se qeveria ka vendosur për të ndalur monopatinat elektrike, apo siç njihen ndryshe skutera elektrikë.
Pas një takimi me drejtuesin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, Ministrja Koçiu u shpreh se “kemi marrë një sërë ankesash nga qytetarësh rreth rrezikshmërisë që këto mjete përfaqësojnë sidomos për të miturit apo të moshuarit që lëvizin në rrugë por edhe për vetë përdoruesit e tyre. Të dhënat e policisë së shtetit mbështesin këtë problematikë në rritje”.
Ministrja Koçiu doli në Facebook duke thënë se i kishte kërkuar Policisë që të ndalonte përkohësisht qarkullimin e skuterave, që vitet e fundit kanë gjetur një përdorim masiv në kryeqytet dhe jo vetëm. Ndërkohë këtë të hënë, Policia e Shtetit, pa një bazë ligjore nisi aksionin për ndalimin dhe sekuestrimin e skuterave, duke gjetur të papërgatitur shumë qytetarë, të cilët janë përballur sot me uniformat blu.
Ashtu siç ndodh rëndom edhe me shumë çështje të tjera, qeveria një ditë të bukur “zgjohet” dhe vendos që të bllokojë këto mjete, ku shumë qytetarë i përdorin për të lëvizur, dhe për të shkuar në punë, si një mënyrë për të shmangur trafikun e rënduar në Tiranë.
Përdorues të monopatinave janë kryesisht të rinj, të cilët janë detyruar që t’u drejtohen këtyre mjeteve për shkak të mangësive që ka në transportin urban. Ky i fundit, sidomos në Tiranë lë shumë për të dëshiruar, për shkak të vonesave në orët e pikut, apo edhe mbingarkesës, duke i lënë qytetarët pa asnjë zgjidhje.
Ndryshe në shumë vende të Bashkimit Europian, ku janë vendosur disa rregulla strikte për të gjithë drejtuesit e monopatinave, qeveria jonë mori vendimin për t’i hequr nga qarkullimi fare dhe duke sekuestruar këto mjete, pa një ligj dhe pa asnjë paralajmërim, siç ka ndodhur në shumë vende të Europës.
Mjafton të marrin shembullin e Italisë fqinje, ku qeveria atje vendosi disa rregulla strike, për të shmangur aksidentet me këto mjete. Çdo monopatinë elektrike duhet të pajiset me një targë identifikuese, e cila do të vendoset në një vend të dukshëm. Po ashtu, targa do të shërbejë si një mjet për regjistrimin dhe kontrollin e monopatinave në nivel kombëtar.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është detyrimi për të mbajtur kaskë mbrojtëse, i cili tashmë përfshin edhe të rriturit.
Edhe vende të tjera si Greqia, Italia, Franca kanë miratuar ligje specifike që rregullojnë qarkullimin e tyre.
E vërteta është se skuterat janë kthyer në një rrezik për shumë këmbësore, apo drejtues mjetesh në Shqipëri, por vendimi për t’i hequr nga qarkullimi pa asnjë paralajmërim nuk është i duhuri.
Aktualisht Shqipëria nuk ka një ligj specifik për përdorimin e këtyre mjeteve që i hasim çdo ditë në rrugë dhe që shpesh herë janë kthyer në burim aksidentesh, por vetëm një VKM ku janë parashikuar vetëm rastet e shkeljeve të rregullave nga ana përdoruesve të skuterëve.
Por nëse qeveria e gjeti zgjidhjen për skuterat, do veprojë po njësoj me shumë drejtues mjetesh që rrugët ju duken si pistë garash, apo për drejtuesit e motorave që shpërndajnë ushqime, të cilat aksidentohen pothuajse përditë?