Policia e Vlorës ka arrestuar sot avokatin Redi Llani pasi më herët gjatë ditës dhunoi fizikisht rojen e sigurisë në Gjykatën e Vlorës.
Policia sqaron se avokati Llani gjatë një konflikti në ambientet e Gjykatës së Vlorës, ka goditur me grusht në fytyrë punonjësin e sigurisë të këtij institucioni, shtetasin F. M., 60 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime në fytyrë.
Burime për mediat bëjnë me dije se avokati Redi Llani ka kërkuar të hyjë në gjykatë duke thënë se e kishin thirrur. Por roja i është përgjigjur duke i thënë që nuk kishte dijeni apo të ishte informuar që avokati të ishte thirrur në gjykatë. Pasi punonësi i sigurisë nuk e lejoi të futej brenda gjykatës, avokati e ka dhunuar 60 vjeçarin.
Njoftimi i Policisë së Vlorës:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, shtetasin R. Ll., 42 vjeç, banues në Vlorë, me profesion avokat, pasi më datë 10.10.2025, rreth orës 12:30, në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, gjatë një konflikti, ka goditur me grusht në fytyrë punonjësin në detyrë të sigurisë së objektit të këtij institucioni, shtetasin F. M., 60 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime në fytyrë. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.