Erald Kapri
Mijëra faqe dokumente të CIA-s amerikane janë tashmë të hapura për publikun mbi aktivitetin e shërbimeve amerikane inteligjente gjatë luftës së ftohtë. Por përtej ngjarjeve të njohura mbi tentativën e amerikanëve për rrëzimin e komunizmit shqiptar me desantë, një aktivitet i panjohur i shërbimeve amerikane përfshin Mbretin Zog.
Monarku shqiptar është cilësuar një as nën mëngë i amerikanëve në një moment delikat të luftës së ftohtë, në Egjipt, kur vendi rrëzoi me dhunë Mbretin Faruk dhe solli në pushtet ushtarakët vendas të lidhur me Moskën. Në vitin 1953, gjatë kohës që Zogu qendronte ende në Egjipt, CIA amerikane përfshiu Mbretin Shqiptar në një operacion për të krijuar marrëdhënie me lëvizjen më të madhe politike në vend, Vëllazërinë Muslimane, liderët e së cilës ishin miqtë e tij. Por ngjarjet e befta dhe veprimet e dhunshme të ushtarakëve nuk mundësuan që CIA të arrinte sukses.
Mbreti Zog jetoi 9 vite në Egjipt gjatë ekzilit të tij. Në pranverën e 1946, familja Mbretërore Shqiptare u vendos në Egjipt falë ftesës personale të Mbretit Faruk, monarkut me origjinë shqiptare, pjesë e dinastisë së Muhamed Aliut. Vitet e para të jetesës së Egjipt ishin të qeta dhe të mbara për Mbretin Zog. Ai gëzonte respekt të gjerë nga elita e vendit dhe krijoi kontakte të shumta me botën muslimane dhe arabe.
Por një vizitë e Ahmet Zogut në SHBA në vitin 1951 do të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve. Situata në Egjipt nuk po shkonte siç duhet dhe Zogu kishte nuhatur se mund të ndodhnin trazira. Nisur nga kjo situatë ai planifikoi që të zhvendoset nga Egjipti për në New York dhe nxorri në shitje edhe vilën luksoze në Aleksandri ku jetonte me familjen e madhe.
Në SHBA, Zogu bleu një vilë në periferi me gurë të çmuar prej 102 mijë dollarësh dhe shfrytëzoi rastin të takohej me zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe CIA-s.
Monarku shqiptar bindi CIA-a që njerëzit e tij të përfshihen në operacionet e disantimit në Shqipëri dhe menjëherë nisi operacioni sekret “Molla” për të rrëzuar Enver Hoxhën.
Por teksa Ahmet Zogu priste lajme nga Shqipëria në të nxehtin e Aleksandrisë, zhvillimet ishin kundër tij. Shitja e shtëpisë dhe transferimi drejt SHBA-së i familjes i mori kohë, ndërkohë që në korrikun e 1952, ushtarakët egjiptianë të drejtuar nga Muhamed Naguib dhe Gamal Naseri morën pushtetin me dhunë dhe hodhën nga froni Mbretin Faruk. Nga i privilegjuar, Zogu po ndodhej në një situatë dëshpëruese dhe gjysëm i burgosur. Ai menjëherë u kërkoi amerikanëve të ndërhyjnë që interesat e tij të mos prekeshin, në veçanti pasuria personale e cila një pjesë ndodhej në disa banka egjiptiane.
Autoritetet ushtarake egjiptiane nuk e donin Zogut, mikun e ish Mbretit. Disa media egjiptiane nisën ta sulmojnë ashpër Mbretin Shqiptar si një “kontrabandist armësh gjatë luftës në Palestinë në 1948”, apo për pasuri të vendosur në kushte kontrabande. Në fakt, Zogu gëzonte imunitet diplimatik në Egjipt dhe asnjëherë nuk u tatua për pasurinë e tij.
Por autoritetet e reja egjiptiane ishin ende të brishta në pushtet. Kjo për shkak se lëvizja më e madhe politike në vend ishte ajo e Vëllazërisë Muslimane, të cilës ushtarakët egjiptianë i trembeshin së tepërmi. Por me liderët e kësaj lëvizje, Ahmet Zogu kishte një miqësi të konsoliduar prej vitesh. Duke njohur këtë fakt, CIA amerikane i kërkoi Zogut të mbajë kontakte me liderët e Vëllazërisë Muslimane, ndërsa Zogu kërkoi nga CIA të ndërhynte që interesat e tij të mos prekeshin.
Departamenti Amerikan i Shtetit i bëri të qartë Zogut se mund të vinte në Amerikë pa nevojën e vizave ndërsa ambasadori amerikan në Kajro, Jefferson Caffery, i bënte presion qeverisë së re egjiptiane të mos i konfiskonte pasuritë Ahmet Zogut.
Çështja e Zogut u kthye në një interes kombëtar amerikan teksa numri 2 I CIA-s Allen Dulles i kërkonte Departamentit Amerikan të Shtetit që të pranonte kërkesat e Zogut pasi ai cilësohej “interes kombëtar në aktivitetet klandestine të CIA-s”.
Situata u acarua së tepërmi kur në shtator të 1953, vila e Ahmet Zogut u bastis nga autoritet egjiptiane të cilët i konfiskuan dokumente. Ndonëse Zogu u lejua formalisht të largohej nga Egjipti, llogaritë e tij bankare prej 20 mijë paundësh egjiptianë në flori, ose rreth 600 mijë dollarë me vlerën e sotme, nuk iu lejuan të merreshin. Egjiptianët pretendonin se Zogu duhet të paguante taksa të papaguara më herët dhe se shuma e taksave tejkalonte llogaritë bankare në art ë Zogut.
Çështja a arit të Zogut shkoi deri në nivelet e larta të qeverisë egjptiane teksa ambasadori amerikan në Kajro ua bëri të qartë se ‘Qeveria amerikane e konsideron Ahmet Zogun një aset në luftën kundër komunizmit dhe dëshiron që ai të mund të lejohet të largohet nga vendi me të gjitha asetet dhe pronat e tij, pa e ekspozuar ndaj çdo procesi që mund të cënonte figurën e tij apo të c’ka ai përfaqësonte, betejën ndaj komunizmit”.
Por egjiptianët guxuan të nxjerrin një faturë për tagesë taksash dhe madje kërcënuan deri në 3 vite burg për Ahmet Zogut nëse ai nuk do paguante, por që sipas amerikanëve, ky presion bëhej vetëm që Zogut i mbahej ari me çdo kusht.
Numri dy i qeverisë egjiptiane, Naseri, u propozoi një skemë amerikanëve, duke u kërkuar atyre që të blejnë arin e Zogut me Dollarë por amerikanët e kosnideruan këtë propozim si një fyerje.
Situata për Zogun u komplikua në fillim të vitit 1954. Naserit iu bë një atentat dhe qeveria ushtarake akuzoi Vëllazinë Muslimane për puç shteti dhe menjëherë e nxorri jashtë ligjit organizatën duke nisur një valë arrestimesh ndaj liderëve të saj. Ishte e qartë se ushtarakët po vendosnin diktaturën dhe po afroheshin me Moskën. Ky ishte lajmi më i keq për Ahmet Zogun.
Në kushtet kur amerikanët nuk kishim më të njëjtin efekt në presionin e tyre, Ahmet Zogu u përball sërish me kontrolle dhe madje edhe me procese gjyqsore. Në përfundim, Zogu arriti që të marrë pjesë të madhe të parave në bankat egjiptiane por investimi milionësh në vilën në Aleksandri, prej rreth 300 mijë dollarësh, humbi i gjithi. Një Princ Saudit që shfaqi interes u tërhoq nga blerja për shkak të ngjarjeve politike në Egjipt. Askush nuk e blinte vilën e Zogut.
Me arrestimin e liderëve të Vëllazërisë Muslimane në Egjipt, Zogu humbi interesin e parë nga CIA amerikane dhe iu këshillua prej tyre të linte vendin. E gjithë kjo përpjekje e Zogut zgjati prej mëse 3 vitesh. Në tërësi, Zogu nuk arriti të luante një rol vendimtar për amerikanët por kjo për shkak të situatës së brendshme në Egjipt. Ushtarakët që morën pushtetin me dhunë u shkëputën shpejt nga amerikanët dhe u lidhën me sovjetikët dhe në këtë mënyrë likujduan të gjithë rivalët e mundshëm politike, mes tyre edhe Vëllazërinë Muslimane e cila u përndoq dhunshëm nga ushtria. Miqtë egjiptianë politikanë të Zogut përfunduan burgjeve.
Sipas vetë CIA-s, Zogu kishte të depozituara 108 mijë dollarë në National City Bank në New York, kishte investuar 5 mijë dollarë në një kompani investimesh, kishte një shtëpi në Aleksandri, bizhuteri të kurorës mbretërore në vlerë 100 mijë dollarë amerikanë dhe një sasi prej 450 mijë dollarësh në ar. Në informacionin e detajuar për CIA-n, juristi amerikan i Zogut pretendonte se monarku shqiptar kishte nxjerrë nga Shqipëria rreth 3 milionë dollarë në ar të cilat ishin harxhuar shpejt për mbajtjen e oborrit dhe mbështetjen së kauzës së tij, duke i mbetur më pak se një e gjashta e tyre. Përveç pjesës së parë të aseteve të Zogut të raportuar me saktësi, juristi nuk jepte shpjegim se nga e kishte informacionin që Zogu kishte marrë 3 milionë dollarë në ar kur u largua nga Shqipëria. Shuma prej 3 milionë dollarë në flori dukej e ekzagjeruar nisur nga fakti se një sasi e tillë do ishte pothuaj e pamundur të transportohej me vete, ashtu siç beri Zogu gjatë gjithë kohës me valixhet e famshme. Gjithsesi, juristi informonte se tregtia në Egjipt ku Zogu ishte përfshirë përmes ndihmës së Mbretit Egjiptian Faruk kishte sjellë përfitime, por pa dhënë detaje të këtyre përfitimeve.

