Erald Kapri
Shteti Shqiptar apo zyrtarë të lartë shqiptarë janë zhvatur apo mashtruar në shumë raste gjatë ekzistencës 110 vjeçare. Disa prej historive janë aq të pabesueshme sa mund të meritojnë skenar kinematografik ndërsa shumë të tjera hetim të hollësishëm për të nxjerrë në pah detajet e mashtrimeve. Ngjarja e fundit me ish shefin e kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili besohet se ishte përfshirë në skema mashtrimi dhe lobimi në Shqipëri nxorri në pah një fenomen që ka ndodhur shumë shpesh me zyrtarët shqiptarë. Gjatë gjithë historisë së Shtetit Shqiptar, raste të ngjashme ka me dhjetëra.
Ndër rastet më të pabesueshme mund të përmenden ajo e aventurierit gjerman Otto Witte, një punonjës cirku, i cili në vitin 1913 vizitoi Shqipërinë duke u hequr si Mbret i Shqiptarëve. Më pas, në fundit e viteve 20-të, një gjoja zv rektor universiteti të huaj vizitoi Tiranën dhe shprehej i mahnitur me inteligjencën shqiptare. Ai nisi të shpërndajë diploma të rreme universitare kundrejt pagesës por që u pikas nga xhandamëria e Mbretit Zog dhe u arrestua në hotelin ku qendronte, mes shumë diplomave gati për t’i shpërndarë ku nuk mungonin emrat e mjaft deputetëve apo zyrtarëve të lartë të kohës që kishin menduar se mund të bëheshin me universitet.
Por një mashtrim tjetër me përmasa të mëdha dhe me dëm financiar të konsiderueshëm për shtetin shqiptar ka për personazh një multimilioner amerikan.
John De Kay ishte një biznesmen amerikan në vitet 30 i cili kishte ngritur një perandori në fushën e industrisë së mishit në Meksikë, duke u cilësuar si Mbreti i Salçiceve. I apasionuar pas artit dhe jetës mondane, ai udhëtonte shpesh në Europë.
Në vitin 1930, teksa jetonte në Mynih të Gjermanisë, një bankë e akuzoi për mashtrim me çeqet bankare dhe autoritet vendase nisën hetimet. Detajet e hetimeve nxorrën në dritë se De Kay po përdorte Shqipërinë si karrem për të bërë miliona dollarë, duke mashtruar investitorë europiane që të investonin në konsorciumin e tij pasi kishte marrë koncensione nga Mbretëria Shqiptare si ai i tregtisë së duhanit apo vajit ushqimor.
Përmes këtij mashtrimi ai synonte të realizonte 10 milionë dollarë, ose sa 250 milionë dollarë me vlerën e ditëve të sotme por që u ndal në kohë. Ndryshe nga autoritetet gjermane që vepruan në kohë, Shqipëria e pësoi pasi gjatë një vizite që multimilioneri amerikan zhvilloi në Tiranë arriti të gllabërojë ngë Banka e Shtetit Shqiptar qindra mijëra franga ari duke u servizur çek të rremë. Në total, milioneri mashtrues mori 250 100 franga ari nga banka shqiptare, një vlerë që e kalon shifrën e milionit të dollarëve me të sotmet.
Në korrik të 1930, konsulli Shqiptar i Nderit në Gjermani, Major Ritter von Wurmb merr një raport të hollësishëm nga Policia Gjermane, duke kërkuar prej tij që të lidhej me autoritetet shqiptare. Raporti zbulon skemën e mashtrimit të milionerit amerikan si dhe dëmin që i kishte shkaktuar Shqipërisë dhe shpresonin në bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare për më shumë detaje të çështjes.
Referuar raportit të hollësishëm që ruhet në Arkivit Shqiptar në fondin 150 (ministria e Punëve të Brendshme), V, 1930, D.92, mashtruesi De Kay jetonte në Gjermani prej vitit 1928 dhe mes të tjerave reklamonte mes investitorësh se gëzonte të drejta tregtare nga trashëgimtarët e Sulltanit të parafundit të Perandorisë Otomane, Abdulhamitit, në pronësi toke dhe liçensa të ndryshme. Ai kishte nisur të reklamonte në fillimin e vitit 1930 se kishte koncensione të veçanta edhe në Shqipëri dhe Poloni.
Hetimi zbuloi se në prill 1930, multimilioneri ishte paraqitur pranë një shtypshkronje të njohur në Mynih nga ku i shoqëruar nga një zyrtar shqiptar, paraqiri një kontratë për ta shumëfishuar. Kontrata njoftonte se De Kay zotëronte koncensionin e tregtimit të duhanit në Shqipëri dhe se do emëtonte Bono ari me 7 % interes për 20 vite afat me synimin e mbledhjes së 10 milionë dollarëve.
Kontrata thoshte me tej se një pjesë e këtyre parave do përdoren për investime në Shqipëri në veçanti për ndërtimin e hekurudhës së parë. Autoritetet zbuluan se zyrtari shqiptar ishte diplomati shqiptar i Vjenës, Catin Saraçi, një person mjaft afër Mbretit Zog. Autoritetet gjermane bënë me dije se Saraçi ndihmoi multimilionerin amerikan që të nisej për vizitë në Shqipëri në fillim të muajit maj 1930.
Kështu, De Kay mbërtiti në Tiranë dhe qendroi disa ditë. Ai prenotoi hotelin më të mirë, takoi elitën e vendit, dha një çek për Kryqin e Kuq Shqiptar, u takua me disa ministra shqiptarë dhe shprehu dëshirën që të investojë në ndërtimin e vendit, duke nisur nga hekurudha. Sipas britanikut Josep Swire, i cili jetonte në Tiranë ato kohë, prania e milionerit amerikan dehu Tiranën dhe kudo që ai shkonte paguante vetëm me çeqe.
Një takimi nuk i rezistoi as Mbreti Zog i cili e thirri në Pallat nga ku edhe e dekoroi për kontributin ndaj shqiptarëve. Ditën e fundit në Tiranë ai shkoi në Bankën Kombëtare të Shqipërisë dhe më pas prenotoi në hotelin Splendit në Durrës. Krejt papritur, ai pretendoi se po ndihej keq me shëndet dhe kërkoi të largohej menjëherë. Autoritetet shqiptare u kujdesën ta hipin në vaporin më të parë ndërsa Mbreti Zog i nisi mjekët më të mirë shqiptarë për ta vizituar, me pretendimin se mund të ishte helmuar nga ndonjë ushqim.
Por me të mbërritur në Mynih, Policia Gjermane mori një denoncim nga një banke zvicerane, sipas të cilës, Banka Kombëtare e Shqipërisë i ka paraqitur një çek të rremë nën emrin e saj me një shumë kolosale, dhe banka shqiptare kërkonte shumën e parave. Bëhej fjalë për një bankat më të mëdha në Luzern në Zvicrës e cila kërkoi nga gjermanët nisjen e hetimeve.
Banka e Shqipërisë nisi një padi ndaj bankës zvicerane për 250 100 frangat e arit që ishin tërhequr nga milioneri amerikan, por që çeku ishte fals. Mesa duket, bankierët në Shqipëri as që e kishin menduar se milioneri mund të paraqiste çek të rremë.
John de Kay u arrestua nga autoritet gjermane por ai e mohoi akuzën. Madje ai pretendoi se shqiptarët kishin tentuar ta vrisnin. Por policia gjermane i gjeti sasi të vogla parash franga shqiptare në banesën e vetë dhe nuk kishte më dyshime për versionin e vjedhjes. Por fati i parave të shqiptarëve nuk dihej më.
Autoritetet shqiptare të Mbretërisë u shokuan nga ngjarja. Në përgjigjen zyrtare për gjermanët, shqiptarët pranuan se kishin bërë një marrëveshje me milionerin amerikan për të sjellë kapitale për ndërtimin e hekurudhës dhe rrugëve, por mohuan ti kishin premtuar atij koncensionin e duhanit. Sa për shumën e vjedhur, shqiptarët heshtën, me shpresën se kjo çështje do të zgjidhej mes bankave dhe nga hetimi.
Por askush në Zvicër nuk mbajti përgjegjësi për çeqet e rreme dhe nuk pranonin të paguanin për to. Banka e Shqipërisë e humbi këtë shumë parash por edhe shumë të tjerë në Shqipëri që kishin marrë çeqe false, nga hotelet tek Kryqi i Kuq.
Milioneri amerikan u arrestua dhe lajmi u botua në mediat kryesore botërore. Por shuma e parave që ai kishte përvetësuar nuk u bë e ditur, kjo edhe për efekt prestigji. Në fakt, dukej e pabesueshme që një biznesmen kaq i pasur të shkonte deri në Shqipëri për të mashtruar shqiptarët e varfër me çeqe të rremë. Nëse këto çeqe nuk do ishin zbuluar në kohë, skema e mashtrimit të De Kay mund të krijonte probleme më të mëdha për shtetin shqiptar. Gjithsesi, 250 100 franga ari të vjedhura direkt nga buxheti i shqiptarëve ishte një çmim mjaft i lartë për shqiptarët në ato kohë plot varfëri dhe pamundësish.


