Prokuroria e Apelit dënon vrasjen e gjyqtarit: Këmbanë alarmi për pasojat që sjell përdorimi i denigrimit të figurës së magjistratit 

Prokuroria e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka reaguar një ditë pas ngjarjes tronditëse ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit.

Në reagim, thuhet se trupa e prokurorëve dënon me forcë këtë akt kriminal dhe çdo akt dhune që cënon figurën e magjistratit, pasi sulmi ndaj tij është një sulm i drejtëpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës.

Sipas Prokurorisë së Apelit, kjo ngjarje duhet të jetë një këmbanë alarmi për pasojat që sjell përdorimi i gjuhës së urrejtjes, denigrimit të figurës së magjistratit dhe mungesën e theksuar të respektit ndaj veprimtarisë gjyqësore.

Reagim i Prokurorisë së Apelit:

Prokuroria e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e tronditur nga ngjarja kriminale që solli humbjen e jetës së gjyqtarit Astrit Kalaja, shpreh dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.

Trupa e prokurorëve dënon me forcë këtë akt kriminal ndaj gjyqtarit të nderuar Astrit Kalaja, një figurë e respektuar e sistemit të drejtësisë dhe një profesionist i palodhur në shërbim të ligjit dhe qytetarëve, dhe njëkohësisht dënon çdo akt dhune që cënon figurën e magjistratit, sepse sulmi ndaj tij është një sulm i drejtëpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës.

Kjo ngjarje duhet të jetë një këmbanë alarmi për pasojat që sjell përdorimi i gjuhës së urrejtjes, denigrimit të figurës së magjistratit dhe mungesën e theksuar të respektit ndaj veprimtarisë gjyqësore.