Mungoi avokati i ish-presidentit, shtyhet seanca paraprake për të pandehurit e dosjes “Meta”

Seanca paraprake për dosjen penale ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe të pandehurve të tjerë të përfshirë në çështjen e njohur si dosja “Meta”, është shtyrë për në datën 9 tetor 2025.

Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e avokatit Kujtim Cakrani, mbrojtës ligjor i ish-kreut të shtetit, i cili kishte paraqitur një kërkesë për shtyrje në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme, duke raportuar probleme shëndetësore.

Në sallën e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ishte e pranishme vetëm Monika Kryemadhi, ndërsa nëna e saj, Fatime Kryemadhi, si dhe ish-bashkëshorti, Ilir Meta, munguan.

Në këtë dosje, SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur: Ilir Metën, Monika Kryemadhin, Fatime Kryemadhin, Pirro Xhixhon, Ema Çokun.

Gjyqtarja Irena Gjoka do të vendosë në seancën e ardhshme nëse kjo çështje do të kalojë për gjykim, apo do të pushohet apo do kthehet pas për plotësim.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

 Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.