Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, ku mbeti i vrarë 51-vjeçari Valbon Beqiri.
Burime policore konfirmojnë se pas veprimeve hetimore intensive është identifikuar dhe arrestuar autori i dyshuar i krimit.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur në banesën e një të afërmeje të viktimës, ku ai qëndronte kohët e fundit. Beqiri, i cili punonte me kohë të pjesshme si kamarier, kishte ftuar në banesë disa të njohur dhe ka dyshime se konsumonin lëndë narkotike.
Dyshohet se gjatë një konflikti të çastit me njërin prej të ftuarve, situata ka shkuar deri në përdorimin e dhunës fatale.
Policia bën me dije se zbardhja e ngjarjes është ndihmuar nga të dhënat e mbledhura nga celulari i viktimës, dëshmitë e banorëve të pallatit, si dhe pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë në zonë.
Autoritetet kanë shoqëruar disa persona dhe po merren në pyetje. Grupi hetimor ka mbledhur prova në vendin e krimit dhe po punon për zbardhjen e plotë të krimit.