Mashtruan prokurorinë me kondicionerin, tender i ri në Elbasan

Elton Qyno


Sistemi i kondicionimit në prokurorinë e Elbasanit ka qënë një nga mashtrimet që bëri bujë, ku një subjekt privat instaloi impiantin e kondicionimit në prokurori, pasije kjo që nuk funksionoi duke mos bërë procesin e ftohjes dhe ngrohjes së godinës.
Prej 3 vitesh, prokuroria e Elbasani gjatë periudhës së verës dhe dimrit, ka ndjerë temperatura të larta dhe ftohta, duke e bërë të vështirë punën brenda institucionit.
Gjatë verës zyrat e prokurorisë kanë temperaturën e një saune, ndërsa në dimër temperatura të ulëta.
Megjithëse sistemi i kondicionerëve është blerë në vitin 2020, prej tre vitesh ky sistem nuk kanë shërbyer.
Nisur nga kjo situatë, drejtuesi i prokurorisë Kreshnik Ajazi dhe kancelarja e kësaj prokurorie, Alketa Kurmaku, në datën 16 Gusht 2023 kanë hapur tenderin e dytë me vlerë 100 mln lekë të vjetra, për zgjedhjen e një kompanie me qëllim vënien në punë të impiantit të kondicionimit.
Kujtojmë se për këtë impiant kondicionimi në muajin Maj 2022, u rregjistrua një dosje penale në prokurorinë e Tiranës, ku prokurori Bledar Valikaj urdhëroi gjatë operacionit “Chiller” arrestimin e disa personave.
Më konkretisht si Dedë Maluta, administrator i shoqërisë “Junik” shpk, Vladimir Maluta me detyrë drejtues teknik i shoqërisë, të cilët u shpallën në kërkim. Por në muajin qershor 2022 Gjykata e Apelit Tiranë, vendosi të ndryshojë masën e sigurisë duke caktuar masën e “detyrimit për paraqitje”.
Ndërkohë po në muajin Maj 2022, për këtë çështje ranë në pranga Ardian Lloshi me detyrë inxhinier dhe administrator i shoqërisë “Tirana Nevv Supervisor” dhe Ibrahim Dragoshi, me detyre inxhinier dhe administrator i shoqërisë “Imes-D” Shpk.
Por edhe për këta dy persona Gjykata e Apelit Tiranë vendosi të ndryshojë masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje”.
Çështja penale aktualisht është përcjellë në gjykatën e Tiranës, ku të pandehurit janë Dedë Maluta, Vladimir Maluta, Ardian Lloshi dhe Ibrahim Dragoshi, të cilët akuzen për “Mashrim me pasoja të rënda” dhe “Falsifikim dokumentash”.