Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkon që të ripërsëritet seanca për prezantimin e programit qeverisës dhe kabinetit Rama 4.
Ky ka qenë vendimi që është marrë sot gjatë mbledhjes se grupit të PD, që u zhvillua pas seancës së Kuvendit, e cila edhe pse ishte parashikuar që të zgjaste 24 orë, u mbyll për 20 minuta, dhe mazhoranca votoi me 82 vota pro programin qeverisës, pas tensioneve që u krijuan në sallë ku deputetët e PD-së bllokuan Foltoren.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një deklaratë për media nga selia blu bëri me dije se do të kërkojnë shkarkimin e Niko Peleshit si kryetar Kuvendi. Ndërkohë i bëri thirrje presidentit Bajram Begaj që të mos thërrasë për betim ministrat e rinj.
“Kërkojmë përsëritjen e seancës solemne kushtetuese të paraqitjes së programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave. I bëjmë thirrje Begajt të marrë praktikën parlamentare të asaj çfarë ndodhi për të konstatuar që votimi është antikushtetues se është kryer jashtë rregullave të caktuara nga Kushtetuta dhe të mos thërrasë për betim anëtarët e Këshillit të Ministrave, pa pasur procedurë të rregullt parlamentare”, tha Bardhi.