Një shqiptar është vrarë brenda makinës së tij në Toronto të Kanadasë. Ngjarja e rëndë është regjistruar gjatë fundjavës, ku 43 vjeçari, Paulin Harusha u qëllua për vdekje në afërsi të një qendre tregtare.
Policia e Torontos ka dhënë detaje rreth këtij krimi që është ende i pazbardhur. Raportohet se 43 vjeçari shqiptar u qëllua teksa ndodhej në makinë pranë Victoria Park Avenue dhe Sheppard Avenue E, mesnatën e së shtunës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë në vend.
Sa i takon autorëve, ata u larguan nga vendi i ngjarjes me një “SUV me ngjyrë të çelët” përpara se të mbërrinin oficerët.
Në një konferencë për shtyp të dielën, Inspektori Jonathan Rose nga Shërbimi Policor i Torontos tha se motivi është ende i panjohur.
Megjithatë hetimet për ngjarjen vazhdojnë, ndërsa policia i kërkon qytetarëve që kanë informacion të kontaktojnë me autoritetet.