“Si një njeri që dikur ka shkruar ndonjë dramë për teatrin dhe si një njeri që ka mbetur mik i teatrit, e kërkova fjalën dhe meqë bëhet fjalë për teatrin, po kujtoj çfarë ka thënë Shekspiri: “Gjatësia është degë e lule, shkurtësia është shpirti i dijes”
Debati për teatrin ka nisur 23 vite më parë kur Edi rama ishte ministër i Kulturës në qeverinë socilaiste. Në vitin 2000 kryeministër ishte Ilir Meta dhe pikërisht në atë kohë Rama hapi një debat shumë të ashpër që lidhej me një reformë të thellë në teatër, atje ku përfshihej jo vetëm ideja e rrëzimit të godinës së teatrit. Rama këmbeu replika shumë të forta me artistët të cilat degraduan edhe në fyerje publike ndaj tyre aktorëve që mbetën në kujtesë gjatë. Megjithatë Rama u mbështet nga qeveria socialiste që drejtohej në atë kohë nga Ilir Meta. Rama shkoi në parlament për të mbrojtur projektligjin “për teatrin” ku u ndesh në replika të opozitës por edhe ngacmime të deputetëve të mazhorancës. Do të sjellim në kujtesë një pjesë të shkurtër të fjalimit të Ramës, më pas reagimine deputetit socialist Namik Dokle dhe atij demokrat Vili Minarolli. Projektet e Ramës për të shembur në atë kohë Teatrin nuk u mbështetën. Në ndër batutat e Ramës, pasi ai nuk ia doli dot të merrte mbështetjen e artistëve, ishte “Epo ruajini dhe brekët e Violeta Manushit si monument kulture si brekët e Merylin Monroe”.
Edi Rama
Dekada e parë e tranzicionit na tregoi dhe mësoi se çfarë kostoje të lartë ka shtyrja e një reforme, kosto e cila bie në radhë të parë mbi fëmijët tanë e pastaj mbi të gjithë ne. Nisma e sotme ligjore e Qeverisë Shqiptare synon të shohë përtej zgjidhjes afatshkurtër të ditës, por pavarësisht se sot kërkohet nga ju një vendim i drejtë në mbrojtje të interesave afatgjata të kulturës tonë kombëtare, unë jam i bindur se kjo reformë mund të japë rezultate të ndjeshme qysh në vitin e parë të implementimit të saj. Ndryshe nga sa pretendohet prej kundërshtarëve të projektligjit, kjo reformë nuk do t’i nxjerrë artistët në rrugë, por do të bëjë të kundërtën, do të krijojë shumë më tepër shanse punësimi për artistët teatrorë. Kjo është një reformë që do të pengojë seriozisht barazinë, parazitizmin, vegjetimin në gjirin e trupave të institucioneve teatrore kombëtare apo vendore. Ky projektligj është një propozim i Qeverisë Shqiptare, për ta modernizuar sistemin teatror shqiptar në disa plane.
Së pari, duke krijuar një strukturë financimi të aktivitetit teatror në shkallë vendi, që do të mund të garantojë transparencë të plotë në shpenzimin e fondeve publike për këtë aktivitet dhe materializimin e energjive më të mira krijuese që Shqipëria ka në këtë fushë.
Së dyti, duke ndryshuar rolin e deritanishëm të shtetit në funksion të aktivitetit teatror, nëpërmjet kthimit të tij nga një garant i barazisë në mjedisin e artit teatror, në një garant të qytetarëve që e blejnë 2 herë veprën teatrore, përmes taksave dhe biletës.
Së treti, duke i sjellë institucionet e artit shqiptar në kohë më pranë qytetarëve shqiptarë dhe botës ku ne duam të integrohemi, pavarësisht nga sa mendojnë të tjerët.
Mua s’më mbetet tjetër, veçse të falënderoj sinqerisht të gjithë ata që kontribuan me seriozitet e përkushtim, për të ardhur deri në draftin që do të shqyrtoni sot, veçanërisht Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, të cilin nuk m’u dha rasti ta falënderoja dje, për rrahjen e sinqertë të mendimeve që mundëm të këmbejmë. Falënderoj, sigurisht edhe kundërshtarët e kësaj reforme, pa të cilët lufta për progres nuk do të ishte kurrë kaq frymëzuese. Faleminderit.
Namik Dokle
“Të nderuar deputetë! Si një njeri që dikur ka shkruar ndonjë dramë për teatrin dhe si një njeri që ka mbetur mik i teatrit, e kërkova fjalën dhe meqë bëhet fjalë për teatrin, po kujtoj çfarë ka thënë Shekspiri: “Gjatësia është degë e lule, shkurtësia është shpirti i dijes”.
Më lejoni të them vetëm 5-6 fjali, se nuk kam për të thënë më shumë se kaq. Kur diskutohej për teatrin, aktori i famshëm Kadri Roshi më tregoi një ngjarje me Napolonin, i cili, kur ishte në dyert e Moskës, dërgoi informatorët e tij në Paris dhe u tha: “Dua të më raportoni si është gjendja në kryeqytet” dhe i raportuan se sa grurë kishte, sa mortaja kishte, sa shpata dhe pushkë kishte dhe Napoloni bëri vetëm një pyetje: “Ju lutem sa spektatorë ka komedia franceze?” Dhe informatorët shkuan përsëri në Paris e i thanë se komedia franceze nuk kishte spektatorë. Napoloni tha: “Atëherë, luftën e kemi humbur. Ta lëmë Moskën dhe të kthehemi në Paris”. Me këtë dua të them që teatri ynë dhe Teatri Kombëtar, por edhe teatrot e tjera ka shumë kohë që kanë humbur spektatorin e tyre. Ky projektligj që paraqet Qeveria synon t’i rikthejë teatrit spektatorin e tij dhe grupi socialist, duke respektuar mendimin e Qeverisë, por duke respektuar edhe mendimin e atyre që i japin shpirtin teatrit, aktorëve dhe artistëve, ka bërë ato ndreqje, me të cilat gjithë komuniteti i artistëve është në përgjithësi dakord, me ndonjë vërejtje të vogël apo me ndonjë kërkesë të vogël, si për shembull, ajo që është bërë për Cirkun e Tiranës, të cilën sot për sot ne mbase dhe nuk mund ta plotësojmë. Atëherë, unë me këtë i ftoj deputetët që të votojmë për këtë projektligj dhe të mos bërtasim e të nxehemi, sepse po diskutojmë për të mbajtur Bujar Llapin dirigjent dhe jo për të bërë Sali Berishën president. Ju faleminderit.
Vili minarolli
Zotërinj! Duhet të kishit vënë mend nga paudhësitë e ministrit tuaj me atë që bëri me Teatrin Kombëtar. Ju kujtohet që e mbylli teatrin, duke thënë se kishte rrezik shembjeje. Pastaj e hapi, pasi kishte zhvatur gjysmën, për ta kthyer në një teatër privat dhe në një studio të një televizioni shqiptar, ashtu siç bëri me Kinostudion, që tani në vend të filmave prodhon dyer e dritare për llogari të një firme, e cila një ditë do të kërkojë të privatizojë edhe Parlamentin, sepse në Presidencë tashmë është pjesëtar. Para dy ditësh, tellalli i Qeverisë, Televizioni Shqiptar njoftoi se u arrit konsensusi me artistët nga ana e Kryeministrit, duke bërë rregullimet e ligjit sipas kërkesave të artistëve. Edhe ky ishte një mashtrim tjetër i tipit Meta, sepse me sa pamë, i ashtuquajturi konsensus ishte arritur me ata artistë që gjithnjë kanë qenë në konsensus me Metën dhe Ramën dhe që njëra prej tyre u shpreh publikisht se nuk e kishte lexuar fare projektligjin. Sidoqoftë, hapja e dialogut na u duk shenjë e mirë pas deklarimeve kategorike të Kryeministrit. Nëse vërtet janë bërë ndreqjet që sugjeroheshin nga artistët dhe këta nuk ishin as për interesa personale, as për interesa politike, siç është bërë zakon të quhet çdo kritikë për Qeverinë, atëherë dua të bëj 2 pyetje.
1. Artistët deklaronin se projekti Rama kishte për qëllim të shkatërronte kulturën dhe artin kombëtar. Nëse i quani të drejta pretendimet e artistëve, atëherë pse s’duhet quajtur zoti Rama shkatërrues i kulturës kombëtare dhe të anulohen bëmat e tij të mbrapshta?
2. Me konfliktin midis Qeverisë dhe personaliteteve të artit, Shqipëria krijoi precedentin e ndeshjes së antikulturës me kulturën. A mundet që njeriu, që na vuri edhe këtë njollë, se pak të tjera kishim, të vazhdojë të qëndrojë në karrigen e ministrit të Kulturës?
Zotërinj! Vë re se nxitoni shumë në miratimin e ligjeve. Kështu bëtë me ligjin “Për shtypin” dhe e propaganduat si arritjen më të madhe. Tani duhet të bëjmë një ligj tjetër për shtypin, një kthim mbrapa në të vërtetë. Kjo është thjesht papërgjegjshmëri. Po ashtu bëtë me ligjin “Për mediat publike dhe private” dhe ka një vit a më shumë që nuk zbatohet. Ligjin “Për teatrin dhe operat” nuk mund ta bëjë një grup dështakësh, që ka mbledhur ministri juaj, por ata që janë përfaqësues. Dëgjojini ata dhe lërjani atyre ta bëjnë! Ju siguroj se do ta bëjnë më mirë dhe do ta luftojnë mediokritetin jo me kontrolle punëtore dhe fshatare, apo me kontrolle të tipit Meta e Rama: “Më shërbe, të të jap karrigen e ministrit apo të drejtorit”.
Së fundi, ju e dëgjuat se përse foli ministri, për gjithçka, por vetëm për projektligjin e tij nuk foli. Ju faleminderit.