SPAK mbyll hetimet për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, dosja dërgohet në GJKKO

SPAK ka përfunduar hetemit dhe ka dërguar në gjyq dosjen ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

SPAK njofton se ndaj Metës dhe Kryemadhit rëndojnë akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Pjesë e kësaj dosje janë edhe Pirro Xhixho, i akuzuar për korrupsion, Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku, të dyja të akuzuara për pastrim parash.

Prokuroria e Posaçme bën me dije se ky  procedim penal është rezultat i një hetimi intensiv, i cili ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasardhëse në bazë të kallëzimeve të ndryshme. Në vitin 2024, të gjitha procedimet e veçuara u bashkuan në një të vetëm.

Hetimet zbuluan një sërë skemash korruptive, përdorimin e influencës dhe pushtetit politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, pastrim të produkteve të veprës penale, dhe fshehje të pasurive apo mosdeklarimi i shpenzimeve të konsiderueshme në deklaratat periodike të pasurive.

SPAK përfundon hetimet dhe dërgon në Gjykatën e Posaçme procedimin penal nr. 55 të vitit 2019.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas përfundimit të hetimeve, më 29.08.2025 ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal nr. 55/2019, në ngarkim të të pandehurve:

Ilir Meta, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim,“Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 të Kodit Penal.

Monika Kryemadhi, e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në dy raste të kryera në bashkëpunim,“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim , “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 të Kodit Penal.

Pirro Xhixho, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal.

Ema Çoku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.

Fatime Kryemadhi, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.

Ky procedim penal është rezultat i një hetimi intensiv, i cili ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasardhëse në bazë të kallëzimeve të ndryshme. Në vitin 2024, të gjitha procedimet e veçuara u bashkuan në një të vetëm.

Hetimet zbuluan një sërë skemash korruptive, përdorimin e influencës dhe pushtetit politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, pastrim të produkteve të veprës penale, dhe fshehje të pasurive apo mosdeklarimi i shpenzimeve të konsiderueshme në deklaratat periodike të pasurive.

Episodet e dokumentuara tregojnë subjektet e procedimit, të cilët në bashkëpunim mes tyre janë përfshirë në kryerjen e veprave penale të përmendura më sipër. Episode të detajuara në lidhje me akuzat e ngritura dhe faktet penale të kryera nga të pandehurit, mund ti gjeni në Njoftimin për Shtyp, i publikuar në faqen zyrtare të SPAK: NJOFTIM PËR SHTYP Datë 21.10.2024 – spak.gov.al

Për hetimet e kryera, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bashkëpunuar me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos dhe Qipros.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.