News24 rikthehet në ekran pas 10 ditësh ndërprerje sinjali

Pas një ndërprerjeje 10-ditore, televizioni News24 është rikthyer sërish në transmetim. Ndërprerja ndodhi mëngjesin e datës 9 gusht kur kompania KAYO, e drejtuar nga Ardi Veliu, në bashkëpunim me përmbarimin dhe Policinë e Shtetit, ndërhyri në dy godinat ku ushtronte aktivitetin Focus Media Group.

Gjatë ndërhyrjes, gazetarët dhe punonjësit nuk u lejuan që të futeshin brenda në godinë ndërsa televizionit iu ndërpre sinjali.

Ky veprim u shoqërua me reagime të shumta publike dhe protesta nga gazetarët, të cilët e cilësuan situatën si një sulm ndaj lirisë së medias.

Pavarësisht se Gjykata e Tiranës vendosi kthimin e një prej dy godinave në favotr të News24, gazetarët nuk u lejuan të rikthehen në këto ambiente.

Televizioni informativ ka gjetur një tjetër ambient, ku ka nisur edhe transmetimin që në orët e para të mëngjesit të sotëm.