Autori i emisionit investigativ “Vetting” në News24, Ardian Bushi, ka bërë një denoncim të fortë për sulmin ndaj ambienteve të këtij televizioni, ku kompania KAYO e drejtuar nga Ardi Veliu vijon të mos zbatojë vendimin e gjykatës dhe të mos i lejojë gazetarët të marrin materialet e tyre.
Ai tha se forcat ushtarake kanë shqyer dyert e ambientit dhe kanë marrë tavolina e karrige, por ajo që e bën më të rëndë situatën është vjedhja e dosjeve të emisionit “Vetting”.
Sipas tij, janë zhdukur dosjet e vjetra e të reja, sidomos ato që do transmetoheshin nga shtatori e në vijim e që kishin lidhje me zv.kryeministren Belinda Balluku. Ai hodhi dyshimin se zhdukja e këtyre dosjeve ka qenë edhe qëllimi i asaj ndërhyrje të dhunshme në ambientet e televizionit.
“Jam gjendur përballë një masakre, ku forcat ushtarake kanë shqyer dyert e ambientit, kanë marrë tavolinat, karriget, kanë ndërhyrë në kompjutera dhe kanë grabitur dosjet e emisionit Vetting. Dera është shqyer me levë. Nuk është zbatuar ligji, por janë marrë urdhrat e KAYO-s për të vepruar ndaj gazetarëve.
Është për të ardhur keq që pjesën dërrmuese të dosjeve që kemi denoncuar janë zhdukur, por dosjet e reja që ishin për të vijuar në shtator e në vazhdim, me zv/kryeministren Balluku që kishte dosjet kryesore. Kjo më bën të dyshoj dhe të theksoj se ky ka qenë qëllimi i kësaj ndërhyrjeje, në mënyrë të kundraligjshme dhe banditeske. Nuk kam arritur ta perceptoj se si godina të rrethohet nga policia, të vijë dhe ushtria dhe civilë të plaçkisin zyrat e gazetarëve. “, tha ai.