Rregulla të reja për ‘Shtëpitë Funerale’ në Tiranë: Jo në godina të banuara, të mos jenë të dukshme për publikun

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar një vendim në lidhje me licencimin e “shtëpive Funerale” duke vendosur disa rregulla strikte.

Sipas vendimit të miratuar së fundmi, kushti kryesor është që ambientet ku do të ushtrojnë aktivitetin këto “Shtëpi Funerale” nuk do të jenë më në hapësirat e pallateve të banimit.

“Shtëpitë funerale nuk duhet të jenë në godina banimi dhe veprimtaria e ushtruar në to nuk duhet të jetë e dukshme për publikun”, thuhet në vendim e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Në vendim thuhet se nëse zyrat e agjencisë funerale janë në një godinë të banuar, ato nuk mund që të ekspozojnë dhe tregtojnë materiale, si arkivolë, kurora, vazo etj.

“Agjencitë Funerale mund t’i kenë zyrat e shërbimit edhe në godina banimi, por në asnjë rast nuk munden që në të njëjtin ambient të ekspozojnë dhe të tregtojnë materiale si arkivolë, kurora, vazo etj. Këto materiale duhet të mbahen në ambiente të veçanta, jo  të dukshme për publikun. Nuk duhet të kenë shenja dalluese, fetare, të përhershme, në fasadën e tyre apo në mjedisin përreth”, saktësohet në vendim.

Po ashtu nuk duhet të kenë shenja dalluese, fetare, të përhershme, në fasadën e tyre apo në mjedisin përreth

Përveç këtyre kushteve, në rregullore janë specifikuar edhe disa kushte të tjera që duhet të plotësojnë subjektet që aplikojnë për këtë licencë, nga numri i punonjësve, te kapacitetet e godinës për të kryer ritualet e lamtumirës për qytetarët që kanë humbur jetën, e deri tek rastet kur do të revokohet licenca e këtij shërbimi.