Sot iu komunikuan akuzat, Ilir Meta tregon dy kërkesat e ngritura me forcë për prokurorët e SPAK

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pasi SPAK mbylli hetimet i komunikoit sot zyrtarisht tre akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Në një postim në rrjete sociale, Meta ka dhënë detaje se çfarë kërkesash ka pasur në drejtim të SPAK. Ashtu siç tha edhe avokati i tij për gazetarët, kanë kërkuar për të hetuar me përgjegjshmëri se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe së dyti se kujt i dërgonin faturat për t’u aprovuar në Partinë e Lirisë, kompania GSIS.

Sipas ish-presidentit të vendit, mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik.

Reagimi i Metës:

Përshëndes mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve të nisura që në Dhjetor 2019.

Asgjë e re nga takimi i fundit më 27 Maj me prokurorët e SPAK-ut.

Ngritëm me forcë dhe zyrtarisht kërkesën për të hetuar me përgjegjshmëri se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe së dyti se kujt i dërgonin faturat për t’u aprovuar në Partinë e Lirisë, kompania GSIS.

Mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik, pasi nga ana ligjore dhe profesionale kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet dhe që duhet të ishte bërë prej dy vitesh.