Ekzekutimi i ish-policit Gentian Bejtja/ Flodian Plaku fshihej prej disa muajsh në Orikum, dyshohet se kishte marrë porosi për një tjetër vrasje

Detaje të reja janë mësuar kapja e Flodian Plakut, i akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjas, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024, në fshatin Larushkë të Krujës. Mësohet se Plaku është një prej 3 atentatorët e ish-policit të burgjeve. Ai dyshohet të ketë qenë vrasës me pagesë, që ka marrë porosi për eliminimin e Gentian Bejtjas.

Ai u prangos në një hotel në zonën e Orikumit në Vlorë teksa me vete mbante 2 armë, të cilat u sekuestruan nga policia.

Burime për mediat bëjnë me dije se policia ka rënë në gjurmët e vendndodhjes së tij për shkak të informacioneve se Plaku dyshohet se kishte marrë porosi për të kryer një tjetër vrasje.

Po ashtu mësohet se Plaku po qëndronte prej të paktën 4 muaj në Orikum, pasi përgjimet e miqve dhe familjarëve të tij që i dërgonin për të ngrënë tregonin se ai ishte në zonë.

Ndërkohë në pranga ka rënë edhe një tjetër person, i identifikuar si Julian Aliaj, që ndodhej në shoqërinë e të kërkuarit nga policia shqiptare.

Sa i takon vrasjes së ish-policit, më herët në prangat e policisë kanë rënë edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Edison Haxhiu dhe Ilir Beqaraj. Këta të fundit mendohet se ndihmuan që Plaku të largohej jashtë vendit, pas krimit.