KAS lë jashtë Kuvendit edhe motrën e Adriatik Lapajt, mandatin e merr Ana Dajko

Kur zihen dy vetë, fiton një i tretë! Kështu ndodhi edhe me koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet, që pas zhurmës së madhe mes Kleana Xhuvelit dhe Zeqir Kordhonit për mandatin e vetëm, asnjë prej tyre nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të ardhshëm.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur që mandatin ta marrë kushërira e Adriatik Lapajt, Ana Dajko, kandidatja e parë e listës së mbyllur të koalicionit, duke zhvlerësuar vendimin e KQZ-së, që mandatin ia kishte dhënë Kleana Xhuvelit.

KAS pranoi pjesërisht kërkesën e partisë Shqipëria Bëhet, pasi rrëzoi pikën ku kërkohej njohja e dorëheqjeve në grup të gjithë listës së mbyllur, ndërsa pranoi kërkesën për të mos njohur revokimin e tërheqjes së disa prej kandidatëve.

Kështu që në Shtator në Kuvendin e Shqipërisë do të shkojë Ana Dajko, 60 vjeçe, me profesion shitëse, e cila është nëna e njërit prej aktivistëve të Shqipëria Bëhet, e futur në kandidim me qëllim djegien e listës.

Por kjo metodë ekstraligjore nuk ka shkuar siç duhet për koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet, që muajin e fundit u bë më shumë se qesharake, duke filluar nga akuzat publike dhe deri në kërcënimet e familjarëve, çfarë tregon edhe seriozitetin që ka kjo parti para qytetarëve.