Col Mehmeti
1. Zbulimi i mozaikut me mbishkrim dedikues në Ulpianë — meritë e bashkëpunimit të arkeologëve nga Franca dhe Kosova — është afërmendsh nga më të rëndësishmit e viteve të fundit. Rëndësia e tij ka të bëjë, merret vesh, mu për ato arsye për të cilat publiku shqiptar nuk vramendet fare për to. Bazilika e zbuluar vjet ka përbrenda në dysheme të monumentalizuar në mozaik emrat e Justinianit dhe Theodorës, augustit e augustes sqimëplotë. Nga përshkrimi i parë preliminar i materialit arkeologjik, mozaiku mban mbishkrimin “Urbem Dardaniae”, një tjerër dëshmi e prekshme kjo e një identiteti të fortë lokal. Nga një anëpamje lozonjare e jetës, mbase mozaiku i sapozbuluar është një nga të rrallat dëshmi që flet për një pajtim plot serenitet midis Justinanit dhe Theodorës, marrëdhëniet e të cilëve ishin jo të lehta në pezhishkën e pushtetit në Kostandinopojë.
2. Kësokohe, pra messhekulli i gjashtë, Perandoria Romake gëlonte nga plasaritjet e fesatet brendakristiane. Halli i augustëve në Kostandinopojë ishte te polarizimi shqetësues mes monofizitëve në nji anë dhe ortodoksëve në anën tjetër. Të parët (në Egjipt, Siri e Palestinë) i mëshonin interpretimit teologjik sipas të cilit Krishti e ka veç një natyrë të brendashkruar; të dytët (në Kostandinopojë, Romë e krejt Perëndimin) i mbaheshin asaj që Krishti i ka dy natyra të shkartisura që bashkërrnojnë. Derisa Theodora ka qenë mbështetëse ballëpërfaqe e monofizitëve, Justiniani eksperimentoi jo pak me anti-monofizitizmin në përpjekje për t’i bashkuar dy pjesët e ndara të romanitetit. Pyetjet që farfuritin në të tilla raste janë si vijon: a thua vallë cili Krisht i bënte për vete banorët vendës të Dardanisë? A ka të ngjarë që ndërndyshje të tilla teologjike nuk kishte asfarë randësie për gjindjen? Sepse, siç kishte vërejtur dikur Konstantin Jirečeku, derisa popullata qytetëse romake në Ballkan hahej në debate e cakërrime brendafetare, kufiri në Danub shkallmohej gjithnjë e më seriozisht nga shkulme popullatash atdheshkulura që po pikaseshin nën emrin Σκλαβηνοί (Sklavenoi)
3. Me prejardhje nga Taurisioni i Dardanisë jugore (sot katundi Taor në juglindje të Shkupit), Justiniani sigurisht që ka qenë pjesë e asaj mikrobote perandorake që e fliste latinishten ballkanike, kurse në Kostandinopojë qe familjarizuar me greqishten kryeqytetase. Ishte mu kjo kohë kur në Ballkanin qendror dhe atë perëndimor, në këtë “urheimat”, po lindte një gjuhë e re prej copëzash dialektore ilire: protoshqipja. Kanë qenë këto vite të zahmetshme se cila gjuhë do ta fitonte lavdinë e l i n g u a f r a n c a në perandori. Sado që veprat shkruheshin në greqisht, latinishtja ende e impononte veten.
4. Mbase si tribut për prejardhjen e përvutë të axhës së vet, Justiniani është i pari dhe mbase i vetmi që Dardaninë pasantike e bëri epiqendër investimesh perandorake. Me fjalët e historianit kryesor të Justinianit, Prokopit, vendlindje e Justianianit ishin viset e “dardanëve evropianë” (Δαρδάνοις Εὐρωπαίοις), të cilët jetonin përtej maleve të Epidamnit (δὴ μετὰ τοὺς Ἐπιδαμνίων ὅρους ᾤκηνται). Kjo na jep pakashumë një ide gjeografike që dardanët e shekullit të gjashtë, pra kur u sajua edhe mozaiku në Ulpianë, ishin shtyrë me sa duket gjer në afërsi të Durrësit. Duke e theksuar kaq fort një rremb lokal të hapësirës perandorake, si Dardania, Prokopi me veprën e tij po mundohej të rievaluonte mitin dardan, aq fort i dashur ndër elitat e dikurshme romake, e ta përfuqizonte bindjen se prej tij rridhte edhe vetë perandori emërmadh. Të paktën kështu janë fjalët e tij: ἔνθεν Ἰουστινιανὸς βασιλεὺς ὁ τῆς οἰκουμένης οἰκιστὴς ὥρμηται (nga këtu vjen Justiniani, perandor, themelues i botës së qytetëruar).
5. Justiniani mbase është perandori i parë dhe i fundit që i preku kufijtë e mundësive dhe pamundësive për Bizantin. Për Ostrogorskyn, ky ka qenë perandor si rrallë të tjerë; për Obolenskyn, Justiniani ka qenë ai i cili e ktheu nderin e Bizantit në Ballkan (ashtu si Bazili më vonë dhe Manuel Komneni); për Vasilievin, Justiniani e çoi perandorinë në maja të majave dhe sakaq e degdisi në mjerim. Sidoqoftë, Justinianit duhet t’i jepet haku si perandor që shtetasve të Perandorisë iu dha një ndjenjë sigurie ose së paku u përpoq për diçka të tillë. Kjo sepse krejt brendësirën e Ilirisë e fortifikoi me mure (sipas fjalëve të Prokopit: “Οὕτω μὲν σύμπασαν τὴν μεσόγειον Ἰουστινιανὸς βασιλεὺς ἐν Ἰλλυριοῖς ἐτειχίσατο”).
6. Dëshirën e tij pontifikuese e pavdekësoi edhe me Ulpianën, disa kilometra në jug të Prishtinës. Prej kohës kur shkruante Prokopi, për aq sa shkonin arkivat imperiale, Ulpiana ishte qytet i moçëm (ἦν δέ τις ἐν Δαρδάνοις ἐκ παλαιοῦ πόλις ᾗπερ Οὐλπιᾶνα ὠνόμαστο). Me komoditetin e dijes së sotme arkeologjike, e dimë me mjaft siguri se Ulpiana u themelua së paku katër shekuj e kusur para se të shkruante Prokopi. Me urdhër perandorak, konstruktin e vjetër Justiniani ia përtëriu me edifice e ledhe të reja (ταύτης τὸν περίβολον καθελὼν ἐκ τοῦ ἐπὶ πλεῖστον (ἦν γὰρ σφαλερὸς ἐς τὰ μάλιστα καὶ ὅλως ἀχρεῖος) ἄλλα τε αὐτῇ παμπληθῆ ἐγκαλλωπίσματα ποιησάμενος).
Col Mehmeti është studiues i historisë klasike, gazetar dhe përkthyes nga Prishtina.