Lidhja e dashurisë me 55 vjeçarin e shtyu vajzën të vriste babain? Viktima nuk ishte dakord, 26 vjeçarja ishte fejuar 3 herë

Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e 56 vjecarit Anesti Rama në fshatin Frashëri të Fierit ndërsa, gruaja, vajza e tij dhe shoku i kësaj të fundit janë arrestuar për ngjarjen tronditëse.

Sipas hetimeve dyshohet se Ermalinda Rama masakroi të atin mbrëmjen e 23 korrikut në bashkëpunim me 55-vjeçarin Çlirim Dogani.

Grupi hetimor ka dyshime të forta se 26 vjecarja ka qenë në një lidhje intime me 55-vjecarin, i cili është i martuar dhe me fëmijë në moshë madhore.

Kjo lidhje duket se ka qenë “mollë sherri” mes vajzës dhe babait. 26 vjecarja e shihte të atin si pengesë për lidhjen dhe dyshohet se kjo ka qenë arsyeja që i mori jetën.

Ndërkohë Çlirim Dogani ka mohuar të gjitha akuzat dhe pretendon se ndodhej në fshatin e tij, shumë larg vendit të ngjarjes kur ndodhi krimi.

Më herët, mësohet se 26-vjeçarja ka qenë e fejuar 3 herë, por është ndarë, pasi babai i saj nuk ka qenë dakord.

Njoftimi i policise:

Punë e pandërprerë hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur në fshatin Frashër, ku Emanilda Rama vrau për motive të dobëta, babanë e saj.

Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë ndalimin e shtetasit Çlirim Dogani, 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Roskovec.

Nga kryerja e hetimeve dyshohet se ky shtetas ka bashkëpunuar me Emanilda Rama, në vrasjen e babait të saj nëpërmjet mbytjes me tel, si edhe duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.