Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar të enjten një urdhër ekzekutiv me synimin për të mbështetur sportet kolegjiale në SHBA, duke kufizuar mënyrën se si programet universitare ndajnë fondet për sportet fitimprurëse, si futbolli dhe basketbolli, në kurriz të sporteve të tjera.
Ky urdhër vjen në një kohë kur ligjvënësit amerikanë po tregojnë interes në rritje për të luajtur një rol më të madh në rregullimin e sportistëve studentë. Në dokument, Trump e përshkruan gjendjen aktuale të sporteve universitare me tone alarmante, duke paralajmëruar për rrezikun e zhdukjes së sporteve më pak të financuara si gjimnastika apo sportet e femrave, për shkak të përqendrimit të burimeve në sportet që gjenerojnë të ardhura.
“Nëse nuk vendosen kufij për të ndalur këtë çmenduri dhe për të siguruar një përdorim të arsyeshëm e të balancuar të burimeve mes programeve atletike universitare, shumë prej këtyre sporteve do të pushojnë së ekzistuari,” thuhet në urdhrin ekzekutiv të Trump.
Sipas urdhrit, departamentet sportive universitare me të ardhura mbi 125 milionë dollarë për sezonin 2024-2025 do të jenë të detyruara të ofrojnë më shumë bursa për sportet që nuk gjenerojnë të ardhura, krahasuar me vitin paraprak. Universitetet me të ardhura më të ulëta duhet të ruajnë numrin aktual të bursave ose të shmangin reduktime të mëdha apo eliminimin e vendeve në ekipet sportive.
Trump gjithashtu kërkon të kufizojë paditë e mëtejshme ligjore ndaj sistemit sportiv universitar. Urdhri i kërkon Departamentit të Punës dhe Bordit Kombëtar të Marrëdhënieve të Punës të “qartësojnë” statusin e punësimit të sportistëve kolegjialë – një çështje që ka qenë shumë e debatueshme gjatë administratës së Biden.
Universitetet janë kundërshtuar fuqimisht klasifikimin e sportistëve si punonjës, status ky që do t’u siguronte atyre mbrojtje të gjera ligjore. Megjithatë, paditë nga sportistë aktualë e ish-sportistë, si dhe nga prokurorët e shteteve, kanë çuar në lehtësimin e kufizimeve për pagesa për përdorimin e emrit, imazhit dhe ngjashmërisë së tyre – duke rezultuar në kontrata prej qindra mijëra apo miliona dollarësh për yjet më të mëdhenj.
Urdhri i Trump ndalon tregun e “pagesave për të luajtur” nga palët e treta, por lejon që sportistët të paguhen me “vlerë të drejtë tregu” për sponsorizime apo shërbime të tjera, një dispozitë që është në përputhje me një marrëveshje të fundit ligjore mes sportistëve dhe NCAA-së.
Ndërkohë, udhëheqës të NCAA-së dhe drejtues të universiteteve kanë kërkuar që Kongresi të miratojë një ligj që do të garantonte autoritetin e tyre mbi sistemin e sporteve kolegjiale. Vetëm një ditë më parë, dy komisione të Dhomës së Përfaqësuesve avancuan një projektligj që ndalon klasifikimin e sportistëve si punonjës dhe që, në përputhje me urdhrin e Trump, do t’i mbronte organizatorët e sporteve kolegjiale nga ligji federal antimonopol.