Policia arreston vëllanë e deputetit socialist, i gjeti në shtëpi municion pa leje

Gjatë kontrollit të policisë në disa banesa në kuadër të hetimeve për zjarrin në fushën e mbetjeve, efektivët kanë gjetur një sasi municioni pa leje.

Burime për mediat bëjnë me dije se municioni u gjet në shtëpinë e Denis Hasallëa, vëllait të deputetit socialist Saimir Hasalla.

Atij iu gjetën në banesë 30 fishekë dhe është shoqëruar drejt komisariatit për të dhënë dëshminë e tij. Ai mban detyrën e drejtorit të Kabinetit në Bashkinë Peqin.

Njoftimi i Policisë:

Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve:

-B. Ç., 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë;

-D. H., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.