Kryeministri Rama ka filuar sërish sot rubrikën “Sy m’sy”, ku u ëhstë përgjigjur live në rrjetet e tij sociale pyetjeve të qytetarëve për çështje të ndryshme.
Një nga çështjet më të rëndësishme është edhe hetimi i prokurorisë për kompaninë Bankers, që për 20 vite i ka kushtuar buxhetit të shtetit shqiptar qindra milionë euro, pasi dyshohet se ka manipuluar bilancet financiare përmes rritjes fiktive të shpenzimeve, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Rama u shpreh se Bankers i detyrohet shtetit shqiptar 240 milionë euro pas çështjes së fituar në arbitrazh, teksa shton se prokuroria duhet t’i nxjerrë “ujin e zi” kësaj ndërmarrje, ndërkohë që justifikohet se ky koncesion ëhstë dhënë para se ai të merrte detyrën.
“Ne kemi fituar me Bankers një arbitrazh dhe Bankers na detyrohet 240 milion euro. Shyqyr që ka ardhur dita që prokuroria investigon në mënyrë të pavarur dhe në këtë rast i heq kapelën përkatëse që ka bërë këtë investigim dhe uroj t’i nxjerrë ujin e zi asaj ndërmarrjeje, ku realisht ka pasur shumë problematika dhe që është akoma sot e gjithë ditën, kostoja e një koncesioni të dhënë para se unë të merrja detyrën.”, tha Rama.
Por, edhe pse thotë se koncesioni u dha para se i të merrte detyrën, qeveria e Ramës ka patur mundësi të ndërhyjë dhe të marrë paratë që i takojnë shtetit shqiptar.
Në vitin 2019, Bankers u gjobit me 80 milionë euro nga Administrata Doganore, për shkak se kishte shmangur pagesën e akcizën për holluesit e karburanteve në vlerën 25 milionë euro. Sipas ligjit, Bankers duhej të gjobitej me trefishin e shumës, që shkonte në afërsisht 80 milionë.
Por, një urdhër i ministres së Financave të asaj kohe, Anila Denajt, pezulloi gjithçka. Sipas Denajt, çështja ishte komplekse dhe i kërkoi doganave ta pezullonin këtë gjobë, ndërkohë që asgjë nuk ishte komplekse: Bankers kishte shkelur ligjin dhe duhej gjobitur.
“Nga shqyrtimi i materialeve…rezulton se kemi të bëjmë me një problem shumë të rëndësishëm dhe të ndërlikuar, qoftë nga shifra e konstatuar, qoftë nga shtrirja kohore…Për sa më sipër, autoriteti doganor të procedojë me pezullimin e procedurës”, thuhej në vendimin e ministres Denaj.
Ndërkohë, edhe pas vendimit të arbitrazhit në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris, ku Shqipëria fitoi çështjen kundër Bankers Petroleum, shteti shqiptar nuk kërkoi kompensim të menjëhershëm. Vendimi i arbitrazhit u fut në sirtar, ndërsa Ministria e Energjitikës e drejtuar nga Belinda Balluku hapi një tender për “përkthim” të vendimit, pa ndërmarrë veprime ligjore për rikuperimin e dëmit.