Nga viti 2004 deri në 2024, Shqipëria humbi miliarda euro nga një kontratë koncesionare me Bankers Petroleum. Një marrëveshje që nisi si një partneritet për të shpëtuar industrinë e naftës në Patos-Marinez përfundoi si një ndër skandalet më të mëdha të burimeve natyrore.
Pas një hetimi 6 mujor, rezulton se kompania dyshohet të ketë manipuluar bilancet financiare përmes rritjes fiktive të shpenzimeve, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Prokuroria e Fierit thotë se janë përdorur dokumente të falsifikuara dhe janë kryer transaksione financiare të dyshimta me kompani dhe individë brenda dhe jashtë vendit. Skemat janë ndihmuar edhe nga kontraktorë të tjerë, duke përfshirë një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh.
Nga të dhënat e grumbulluara rezulton se kompania ka realizuar shitje dhe eksporte në vlerën prej mbi 532 miliardë lekësh, ndërkohë që ka deklaruar shpenzime që tejkalojnë këto të ardhura, duke dalë çdo vit me humbje. Në këtë mënyrë, ajo ka shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin dhe dyshohet se ka përfituar rimbursime fiktive të TVSH-së në shuma që arrijnë në miliona euro.
Por si nisi historia e Bankers Petrolium në Shqipëri, dhe si qeveritë mbuluan vjedhjen e naftës së Shqipërisë nga kjo kompani. Kush përfitoi tjetër veç zyrtarëve të kompanisë dhe a janë të përfshirë ministrat?
2004: Kontrata me Bankers, pa garë, pa transparencë
Në prill 2004, qeveria socialiste e Fatos Nanos firmosi një kontratë koncesionare me kompaninë kanadeze Bankers Petroleum Ltd., e cila i dorëzonte për 25 vite menaxhimin dhe prodhimin e naftës në zonën më të pasur të Shqipërisë: Patos-Marinzë. Marrëveshja u nënshkrua përmes Albpetrol dhe AKBN, dhe u reklamua si shpëtim për fushën naftëmbajtëse.
Por kontrata nuk parashikonte një plan zhvillimi të detajuar, dhe sipas dokumenteve zyrtare, Bankers nuk dorëzoi kurrë një Plan Zhvillimi të miratuar nga shteti. Për vite me radhë, kompania vijoi aktivitetin duke rritur prodhimin, por pa u ndjekur nga një monitorim real institucional, çfarë e lejoi të grabiste naftën e Shqipërisë pa paguar asnjë tatim.
2009: Qeveria Berisha dhe amnistia fiskale e artë
Bankers kishte 5 vite që operonte në Shqipëri, duke shitur naftë e duke mos paguar asgjë, edhe pas ndërrimit të pushtetit në vitin 2005, kur drejtimin e mori Partia Demokratike me kryeministër Sali Berishën. Në mars 2009, me vendim të Këshillit të Ministrave qeveria me heshtjen e opozitës së atëhershme të Edi Ramës, miratoi një ndryshim që i garantoi Bankers-it një marrëveshje akoma më të favorshme:
Për çdo 1000 USD prodhim, shteti merrte vetëm 110 USD.
Renta minerare 10% u lejua të zbritet nga baza për llogaritjen e taksës së fitimit
Vendimi u firmos nga Ministria e Ekonomisë e drejtuar nga Ridvan Bode dhe Ministria e Financave, e drejtuar nga Genc Ruli.
Nga ky ndryshim, u reduktuan ndjeshëm të ardhurat që Shqipëria do të përfitonte nga pasuritë e veta, duke e lejuar kompaninë të vijonte të fitonte miliona euro në kurriz të shtetit shqiptar, teksa nuk dihet se përse u mor ky vendim nga ministrat në favor të kompanisë.
2011–2014: Skema e shpenzimeve të fryra dhe auditimet që u ndaluan
Një audit i vitit 2011 nga tatimet dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi se Bankers kishte deklaruar rreth 299 milionë dollarë shpenzime të paverifikuara. Kompania përdorte një skemë të njohur si “cost oil”, ku zbriste nga fitimi çdo shpenzim të vetin, pa kufij ose tenderim publik.
Auditimi i AKBN dhe Tatimeve doli me përfundimin se kompania duhet të paguante mbi 60 milionë euro taksa, por përmes presionit politik dhe kërcënimit me arbitrazh ndërkombëtar, çështja nuk shkoi në gjykatë.
Në vend të gjobave, u krijua një panel i “ekspertëve të pavarur”, i cili për çudi mbajti anën e Bankers, duke i legalizuar shpenzimet fiktive, çfarë i kushtoi shtetit shqiptar 60 milionë euro që duhej t’i kishte marrë në formën e taksave. Edhe këtë herë, asnjë reagim nga politika.
2016: Shitet kompania, shteti nuk reagon
Në 2016, Bankers Petroleum Albania u ble nga një konsorcium kinez: Geo-Jade Petroleum. Marrëveshja ndodhi pa asnjë ndërhyrje apo rishikim të kontratës nga pala shqiptare. Në atë kohë, kryeministri Edi Rama dhe ministri Damian Gjiknuri premtuan rishikim të marrëveshjes, por asgjë nuk ndodhi. Kontrata vazhdoi, të njëjtën skemë e të njëjtat mekanizma të errët fiskalë.
Edhe pse çdo vit i shkaktonte shtetit miliona euro dëm, Bankers dukej se kishte një mbrojtje politike që i lejonte të vijonte grabitjen e nëntokës shqiptare, teksa hidhen dyshime se milionat e naftës përdoreshin edhe për t’i mbyllur gojën politikanëve.
2019: Gjoba 80 milionë euro dhe pezullimi nga Anila Denaj
Në vitin 2019, Bankers u gjobit me 80 milionë euro nga Administrata Doganore, për shkak se kishte shmangur pagesën e akcizën për holluesit e karburanteve në vlerën 25 milionë euro. Sipas ligjit, Bankers duhej të gjobitej me trefishin e shumës, që shkonte në afërsisht 80 milionë.
Por, një urdhër i ministres së Financave të asaj kohe, Anila Denajt, pezulloi gjithçka. Sipas Denajt, çështja ishte komplekse dhe i kërkoi doganave ta pezullonin këtë gjobë, ndërkohë që asgjë nuk ishte komplekse: Bankers kishte shkelur ligjin dhe duhej gjobitur.
“Nga shqyrtimi i materialeve…rezulton se kemi të bëjmë me një problem shumë të rëndësishëm dhe të ndërlikuar, qoftë nga shifra e konstatuar, qoftë nga shtrirja kohore…Për sa më sipër, autoriteti doganor të procedojë me pezullimin e procedurës”, thuhej në vendimin e ministres Denaj.
E çuditshme, por edhe këtë herë opozita nuk reagoi, duke u bërë palë në këtë grabitje të madhe që po i bëhej shqiptarëve dhe nëntokës së këtij vendi.
2024: Arbitrazhi, shteti fiton por nuk kërkon paratë
Në qershor 2024, pas një procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris, Shqipëria fitoi çështjen kundër Bankers Petroleum. Arbitrazhi vërtetoi se 236 milionë dollarë të kërkuara nga kompania ishin shpenzime të parikuperueshme dhe të pajustifikuara.
Megjithatë, shteti shqiptar nuk kërkoi kompensim të menjëhershëm. Vendimi i arbitrazhit u fut në sirtar, ndërsa Ministria e Energjitikës e drejtuar nga Belinda Balluku hapi një tender për “përkthim” të vendimit, pa ndërmarrë veprime ligjore për rikuperimin e dëmit.
Heshtja e politikës vijon të zgjatet, pavarësisht se opozita e ka akuzuar qeverinë për çdo koncesion apo aferë të mundshme. Kur bëhet fjalë për “BANKERS”, të gjithë kyçin gojën, sikur të jenë të përfshirë në këtë aferë.
2025: Prokuroria e Fierit arreston disa zyrtarë të lartë të Bankers
Prokuroria ka lëshuar 14 masa sigurie penale, përfshirë 9 masa shtrënguese ndaj drejtuesve aktualë dhe ish-drejtuesve të kompanisë, si dhe 5 urdhër-arreste për shtetas që aktualisht janë në kërkim. Sipas njoftimit zyrtar, hetimi u iniciua pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Akuzat që rëndojnë mbi kompaninë dhe personat e përfshirë janë:
Krijimi i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në; Fshehje të të ardhurave; Pastrimi i produkteve të veprës penale; Shpërdorim i detyrës; Moskryerje e detyrave nga organet tatimore
Mes personave të ndaluar janë:
Hongping Xiao– Administratori aktual i kompanisë
Leonidha Çobo– Ish-administrator
Si dhe shtetasit: L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I, E.A, me role të ndryshme në menaxhimin e kompanisë.
A duhet të veprojë SPAK?
Grabitja e nëntokës shqiptare në favor të një grushti njerëzish të mbrojtur edhe nga politika nuk është një çështje që i takon Prokurorisë së Fierit, por SPAK, pasi kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal që ka bahskëpunuar për të ndarë milionat e grabitura.
Prokuroria e Posaçme e ka për detyrë të hetojë që prej kontratës fillestare të Bankers me shtetin shqiptar dhe deri në ditët e sotme, për të zbuluar se cilat kanë qenë edhe interesat e politikës që heshti për 20 vite kur nëntoka shqiptare grabitej nga një kompani e huaj.
Ndërsa shqiptarët paguajnë prej vitesh çmimin më të lartë të karburantit në Europë, nafta e nëntokës shqiptare ka nxjerrë miliarda euro që nuk janë kthyer kurrë në të mira publike. Në vend të zhvillimit, ajo është kthyer në mall grabitjeje për kompani të huaja dhe zyrtarë vendas.
Kjo është produkt i drejtpërdrejtë i politikës shqiptare, që për dy dekada ka mbrojtur interesat private mbi interesin kombëtar.