Dy meteoritë të zbuluar në shkretëtirën e Saharës në vitin 2023 mund të jenë fragmentet e para të identifikuara ndonjëherë nga planeti Merkur, sipas një grupi shkencëtarësh që po studiojnë përbërjen e tyre.
Merkuri, planeti më i afërt me Diellin dhe njëkohësisht më pak i studiuari ndër planetët shkëmborë të sistemit diellor, është shumë i vështirë për t’u eksploruar për shkak të afërsisë me yllin tonë. Deri më sot, vetëm dy sonda hapësinore kanë vizituar planetin, ndërsa një mision i tretë, BepiColombo, pritet të arrijë atje në vitin 2026.
Meteoritet e gjetur, të quajtur Northwest Africa 15915 dhe Ksar Ghilane 022, përmbajnë minerale si olivina dhe pirokseni, të cilat janë të pasura në sipërfaqen e Merkurit sipas të dhënave nga sonda MESSENGER. Mostrat gjithashtu mungojnë në hekur, që përputhet me përbërjen e supozuar të planetit.
Megjithatë, një pikë e debatueshme është mosha e meteoriteve, rreth 4.5 miliardë vjeç, ndërsa sipërfaqja e Merkurit mendohet të jetë rreth 4 miliardë vjeç. Kjo mospërputhje ka ngritur dyshime për origjinën e tyre, por disa shkencëtarë thonë se kjo mund të jetë pasojë e vlerësimeve të pasakta të moshës së planetit.
Nëse konfirmohet se këto fragmente vijnë nga Merkuri, ato do të përfaqësonin një hap të madh për shkencën planetare, pasi asnjë mision deri më sot nuk ka sjellë mostra nga ky planet në Tokë. Studiuesit thonë se një provë e tillë do të ndihmonte në kuptimin më të mirë të formimit të Merkurit dhe të vetë sistemit diellor.
Diskutimet rreth këtyre meteoriteve pritet të vazhdojnë në konferencën vjetore të Shoqatës Meteoritike që po mbahet këtë javë në Perth, Australi.