“Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe jo këshillues”.
Kështu u shpreh kryestarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, në aktivitetin për prezantimin e vëllimit të dytë të “Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”
Ajo theksoi se moszbatimi i vendimeve të Kushtetueses cënon integritetin e ligjit si dhe minon besimin e publikut të drejtësia.
“Autoriteti i këtyre vendimeve nuk është teorik. Përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike. Mos harrojmë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t’u zbatuar. Ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet. Dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetëm Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit i cili kërkon që të gjitha institucionet shtetërore jo vetëm të respektojnë vendimet e gjykatës, por edhe të veprojnë në shina kushtetuese. Kjo vlen për të mbajtur në vëmendje se kur institucionet, përfshirë dhe ato gjyqësore, krijojnë dhe ato konflikte kushtetuese apo veprojnë jashtë kuadrit kushtetues, kjo minon vetë legjitimitetin e sistemit ligjor dhe gërryen besimin e publikut”, pohoi Zaçaj.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetueses pohoi se demokracia e një vendi duhet të jetë kushtetuese, me ndarje të qartë të pushteteve dhe pavarësi të plotë nga njëra tjetra.
“Kushtetueshmëria si mënyrë të qenuri është pasaportë jonë e vetme në rrugën e integrimit drejt Evropës së bashkuar. Në jetojmë në një moment historik jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë dhe na duhet të kujtojmë se vetëm demokracia nuk mjafton. Sundimi i shumicës, edhe kur është i ligjshëm, mund të çojnë në ligje që kufizojnë ose shkelin të drejtat themelore. Prandaj është e domosdoshme që demokracia të jetë kushtetuese, me kufij për pushtet, respekt të sundimit të ligjit dhe një pushtet gjyqësor të pavarur. Vetëm kështu demokracia nuk është thjesht dhe vetëm një mekanizëm qeverisës, por një kulturë lirie, përgjegjshmëria dhe llogaridhënie”, shtoi Zaçaj.
Ky qëndrim i saj është një shuplakë e hapur ndaj mazhorancës, e cila në shumë raste ka shpërfilluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato. Ai kërkoi prej institucioneve, që drejtësia të vihen në funksion të qytetarëve, ndërsa shtoi se përmes këtij mekanizmi forcohet besimi te institucionet.
“Drejtësia, jo vetëm duhet të jepet, por edhe duhet të duket që po jepet. Drejtësia duhet të arrijë te qytetarët, duhet ta kuptojnë, të kenë besim, dhe vetëm duke patur këtë besim mund ta shohim integrimin në BE si një mundësi për të arritur më shumë. Dhe për këtë çdo hap ka rëndësi, cdo përpjekje që bëjnë gjykatat kontribuojnë për këtë vizion”, theksoi Gonzato.