Kapiteni i anijes u mbyt pasi shpëtoi dy turistët, vijojnë kërkimet për trupin e 51 vjeçarit në liqenin e Shkodrës

Vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të kapitenit të një anijeje turistike, i cili u mbyt një ditë më parë në liqenin e Shkodrës gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë.

Forcat polumbare të FNSH-së, së bashku me punonjës të bashkisë po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të Arben Anamalit.

Por teksa kapiteni u mbyt duke shpëtuar dy turistë, këta të fundit mësohet se ndodhen në gjendje te mirë shëndetësorë.

Në lidhje me këtë ngjarje tragjike, ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i cili thotë se fatkeqësisht akti heroik i kapitenit u kthye në tragjedi, ndërsa njofton se strukturat përkatëse do të jenë të angazhuara për të bërë të mundur gjetjen e trupit të tij.

“Ky mëngjes është i trishtë për Shkodrën. Që prej mesditës së djeshme, forcat polumbare të FNSH-së, në bashkëpunim me punonjës të Bashkisë Shkodër, po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të kapitenit të anijes turistike në liqenin e Shkodrës, Arben Anamali. Strukturat do të jenë të angazhuara edhe gjatë ditës së sotme për të bërë të mundur gjetjen e trupit të Arbenit, kapitenit që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar turistët që po rrezikonin jetën. Fatkeqësisht, ky akt heroik u kthye në një tragjedi për të, për familjen dhe për të gjithë ata që e njohën.Jam pranë familjes Anamali në këto momente të vështira”, shkruan Benet Beci.