Që prej ditës së mërkurë, në pallatin e sportit “Fahrie Hoti” po vijon procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Tiranës.
Deri tani janë numëruar gati gjysma e kutive të votimit, nga 1282 që janë në total.
Rinumërimi ka nxjerrë në dritë se disa kandidatë, si nga Partia Socialiste dhe nga Partia Demokratike, kanë përfituar vota në mënyrë të padrejtë.
Nga PS, Ervin Hoxhës i janë hequr më shumë vota, teksa në kampin e opozitës kandidatit që i janë hequr vota është Ilir Alimehmeti.
Por ashtu siç ndodhi më 11 Maj, edhe tani po zhvillohet një garë e fortë ndërmjet Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit, ku pas rinumërimit diferenca është ngushtuar në vetëm 92 vota, nga 140 që ishte fillimisht.
Megjithatë duhen pritur që të hapen edhe kutitë e tjera për të parë nëse Xhaçka do të mbaj mandatin, që mori në 11 Maj.