Një rrjet prostitucioni është goditur nga Policia e Pogradecit, pas një hetimi dy mujor të kryer nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Operacioni i koduar “Last night” çoi në zbulimin e një apartamenti të përshtatur për veprimtari prostitucioni në lagjen nr. 1 të qytetit.
Si rezultat, në pranga ka rënë një shtetase kineze 61-vjeçare, me inicialet H. F., ndërsa një tjetër shtetase kineze, C. L., 46 vjeçe, është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Të dyja akuzohen për “Prostitucion” dhe “Falsifikim të monedhave”.
Gjithashtu, është proceduar penalisht edhe pronari i apartamentit, një 33-vjeçar me inicialet L. Xh., për veprën penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e rendit, janë sekuestruar:
• Shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme
• Kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara
• Katër telefona celularë
Policia njofton se hetimet janë në vijim për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, përfshirë individë brenda dhe jashtë vendit që mund të kenë ndihmuar në reklamimin apo komunikimin e veprimtarisë kriminale.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.