Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi është paraqitur këtë të hënë në SPAK. Kjo është hera e dytë që Bufi paraqitet në Prokurorinë e Posaçme.
Nuk dihet arsyeja e thirrjes së Bufit ditën e sotme, por ajo rezulton e kallëzuar në SPAK për “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion” dhe “Krime zgjedhore”.
Fillimisht ndaj saj në Prokurorinë e Posaçme u bë një kallëzim pas një videoje të shfaqur në një emision investigativ në vitin 2023, ku kryebashkiakja shihej teksa i bënte presion me shkarkim nga puna një sanitareje për arsyen se kishte marrë pjesë në një miting të opozitës, në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Pas publikimit të videos, opozita depozitoi një kallëzim penal në SPAK ndaj kryetares së bashkisë së Roskovecit.
Në kallëzim Bufi akuzohej për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Gjithashtu Majlinda Bufi rezulton e kallëzuar nga opozita për abuzime me tenderat në Roskovec.