“Plaga e eksodit ka gërryer demografinë e Shqipërisë”, Qëndresa Qytetare: Në dhjetë vjet u dyfishua mosha mesatare

Popullsia e Shqipërisë vijon të plaket me ritme të shpejta. Në dhjetë vjet, mosha mesatare në vendin tonë pothuasje është dyfishuar.

Në vitin 2015, mosha mestare në Shqipëri ka qenë 27.2 vjeç, kurse në 2025 kjo shifër ka arritur në 44.4 vjeç.

Qendresa Qytetare thotë se “rritje e moshës mesatare është treguesi më i qartë se plaga e eksodit ka gërryer demografinë e Shqipërisë”.

Krahas kësaj, largimet masive të të rinjve dhe fuqisë punëtore do të ndikojnë negativisht jo vetëm në vitalitetin e shoqërisë, por kjo do reflektojë drejpërdrejt edhe në ekonomi.

Përballë kësaj panorame të zymtë dhe tepër shqetësuese, “Qëndresa Qytetare” pohon se “eksodi duhet të jetë kryefjalë e debatit në Shqipëri”.

Ajo shton se të parët që duhet të “ngrenë alarmin janë sipërmarrësit, politika dhe media, pasi vendi është në prag të plakjes”.

Reagimi i Qëndresa Qytetare:

𝗡𝗴𝗮 𝟮𝟳.𝟮 𝘃𝗷𝗲𝗰̧ 𝗻𝗲̈ 𝟮𝟬𝟭𝟱 𝗻𝗲̈ 𝟰𝟰.𝟰 𝘃𝗷𝗲𝗰̧ 𝗻𝗲̈ 𝟮𝟬𝟮𝟱, 𝗺𝗲 𝗕𝗘-𝗻𝗲̈ 𝗽𝗲̈𝗿𝗮𝗳𝗿𝘂𝗮𝗺 𝘃𝗲𝘁𝗲̈𝗺 𝗺𝗼𝘀𝗵𝗲̈𝗻 𝗺𝗲𝘀𝗮𝘁𝗮𝗿𝗲!

Ndonëse prej 2 dekadash po punojmë që me Bashkimin Evropian të përafrojmë, ligjet, zbatimin e tyre, si dhe standardet e pagesës dhe jetesës, deri tani ia kemi të dalë të përafrojmë vetëm moshën mesatare të popullsisë, kjo për shkak të eksodit të shqiptarëve, veçanërisht në dekadën e fundit.

Mosha mesatare në Bashkimin Evropian në Janar 2025 ishte 44.7 vjeç, ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave të INSAT, të përpunuara nga Monitor, në Janar të 2025 mosha mesatare e popullsisë ishte 44.3 vjeç.

Në 2015 mosha mesatare në Shqipëri ishte 27.2 vjeç dhe kjo rritje e moshës mesatare është treguesi më i qartë se plaga e eksodit ka gërryer demografinë e Shqipërisë.

Të dhënat e reja zyrtare mbi popullsinë treguan se më 1 Janar 2025, në vend jetojnë 2,36 milionë banorë, duke shënuar një rënie 1.8% nga Censi i vitit 2023.

Tkurrja me më shumë se 27 – 30 mijë banorë në vit, e përqendruar kryesisht te moshat e reja, rrezikon ta çojë treguesin e popullsisë përtej çdo skenari, teksa deri në vitin 2035 Shqipëria pritet të ketë më pak se 2 milionë banorë dhe kjo do të ketë një ndikim të drejtpërdrejt mbi ekonominë, me një Shqipëri që do të ketë më pak të rinj që hyjnë në tregun e punës dhe me më shumë të moshuar që dalin në pension.

Përballë këtij realiteti dramatik, Qëndresa Qytetare vlerëson se eksodi duhet të jetë kryefjalë e debatit në Shqipëri dhe të parët që duhet të ngrenë alarmin janë sipërmarrësit, politika dhe media, pasi vendi është në prag të plakjes.