Mamaja në KLP, familjarët me poste të rëndësishme! Rei Meta i kishte “krahët e ngrohtë”

Rei Meta është 33 vjeçari që vrau ndërtuesin Armando Meshau në Vlorë pak ditë më parë, me të cilin u konfliktua në një kancelari për shkak të një rpone.

Në deklaratën e tij në polici, Meta pranoi se shërbente si sekser dhe përfitonte prona në shkëmbim. Fjalët e tij nxorën në publik detaje të tjera, pasi 33 vjeçari përdorte emrin e nënës së tij Nurihan Seitit, anëtare e KLP-së për të mbyllur punët.

“Me Armandon kam pasur një konflikt të hershëm për çështje lekësh. Unë para disa kohësh kisha ndërmjetësuar tek një tjetër person që Armando të blinte një sipërfaqe toke. Ai më kishte premtuar se nëse do të mund të blinte atë tokë, unë do të përfitoja prej tij një shumë lekësh, por që nuk më tha se sa. Pas disa kohësh mora vesh se ajo sipërfaqe toke ishte blerë nga Armando dhe kam shkuar disa herë ta takojë e t’i kërkoja lekët që më kishte premtuar”, ka deklaruar ai në polici.

Por nëna nuk ishte e vetmja që ia mbante “krahët e ngrohtë” të riut nga Vlora. E gjithë familja Meta mban poste të rëndësishme në administratë. Babai i tij, Hazis Meta, me profesion oficer kufiri është Shef Sektori Juridik në Kadastrën e Përgjithshme, i emëruar pas zgjedhjes së gruas në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Motra, Santeliana Meta, nga janari i vitit 2020 është Shefe Sektori në Prokurorinë e Tiranës. Vetë Rei Meta punon si Përgjegjës Grupi i Inspektorëve të Kontrollit Fizik në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Pra, 33 vjeçari pavarësisht se ishte në shkelje ligji, ishte i sigurt se nuk do të kapej ndonjëherë, pasi familjarët do ta shpëtonin nga burgu. Fatkeqësisht, duhej të ndodhte vrasja e Armando Meshaut që të dilte në pah skema që përdorte Meta për të përfituar prona dhe shuma monetare, teksa pritet me interes hetimi që do të kryejë Inspektoriati i Lartë i Prokurorisë për Nurihan seitin.

Vetë kreu i KLP-së, Alfred Balla, i doli në mbrojtje koleges së tij, duke thënë për BIRN se djali i Nurihan Seitit ishte i rritur dhe nuk jetonte në të njëjtën shtëpi me prindërit, por pa thënë asgjë për faktin se 33 vjeçari përdorte emrin e anëtares së KLP-së për përfitime personale.

LEXO EDHE: VIDEO/ Viktima e grushton i pari, ky është momenti kur Rei Meta godet për vdekje Armando Meshaun