Dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu nuk merr votat e nevojshme

Ka dështuar për herë të gjashtë seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme.

Haxhiu i mori 57 vota për, katër më pak se minimumi prej 61 votave të nevojshme për t’u emëruar, çfarë sjell edhe një ngërç në jetën politike të vendit.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar se Lëvizja Vetëvendosje me qëllim nuk dëshiron ta zhbllokojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës pasi që nuk po ndryshon propozimin për postin e kryeparlamentarit.

“Një gjë është e qartë, Albulena Haxhiu nuk kalon. Sikur të donin zgjidhje, kanë pasur mundësi edhe sot, edhe pardje, edhe para katër ditësh. të njëjtën mundësi e kanë edhe pasnesër: Ta ndërrojnë deputetin”, tha Krasniqi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se partia e tij nuk do të heqë dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, pavarësisht mungesës së votave dhe kundërshtimeve.

“Kuvendit kemi dashur t’ia japim një kryetare grua. Ky është propozimi ynë që nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë”, tha ai.