Dosja “Partizani”/ Shyhet sërish seanca në GJKKO, mbrojtja e Sali Berishës kërkon përjashtimin e gjyqtares

Është shtyrë sërish seanca gjyqësore për dosjen “Partizani” ku i pandehur është ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj në një komunikim për mediat tha se kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Fjorela Davidhi me pretendimin se ajo është e njëanshme në lidhje me vendimet që merr.

Në seancën e djeshme, gjyqtarja Davidhi rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së Berishës për pavlefshmëri të provave të SPAK.

Seanca e radhës është caktuar për më datë 5 maj, ora 11:30.

“Duke ju sjellë në retrospektivë informimin e djeshëm, që ne kërkuam një kohë të mjaftueshme, të shpejtë për t’u konsultuar me të mbrojturit prej nesh për sitautën e krijuar pas vendimit të gjyqtares paraprake lidhur me pavlefshmërinë e kërkimeve tona, ne unanimisht morëm një vendim për të kërkuar përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi për njëanshmëri të theksuar në vendimmarrjen e saj. Ato janë kërkime të qarta të bazuara në ligj dhe janë kaos gjyqësor që pa shpjeguar shkaqet e ligjshmërisë së kërkimeve tona mori një vendim të padrejtë. Sot ne depozituam në formë të shkruar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi dhe seanca u ndërpre sipas procedurës, sepse gjyqtarja nuk mund të japë vendim pa u shprehur një tjetër gjyqtar i gatshëm në lidhje me vendimmarrjen e saj”- u shpreh Gjokutaj në një komunikim jashtë dyerve të GJKKO.